1
1
KUSHTETUTA
Subjektet politike të koalicionit VLEN e respektojnë ligjin dhe kushtetuetshmërinë në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë ne kemi bindjen se kushtetuta në fuqi është e mangët, e kufizuar dhe në shumë pjesë të saj nuk i përfaqëson realitetet e sotme politike, sociale dhe etnike në vend. Andaj, është bërë i domosdoshëm ndryshimi dhe plotësimi I saj. Ne do të ndërtojme konsensus për një kushtetutë e re, më demokratike dhe më moderne, e cila do ta ridefinojë vendin si shtet të barabartë të dy bashkesivë shumicë, gjithsesi me të drejta të plota të garantuara edhe për bashkesitë pakicë, turqit, vllehët, serbët, romët, boshnjakët, bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët, sipas praktikave më të mira të Bashkimit Evropian.
Kushtetuta ere do t’ia hapë derën edhe integrimit përfundimtar në Bashkimin Evropian të Maqedonisë se Veriut.
2
1
BARAZIA KOMBËTARE DHE MARRËVESHJA E OHRIT
Synimi ynë i panegociueshëm, jo thjesht si parti dhe si koalicion, por si komunitet shqiptar, është barazia e plotë kushtetuese, ligjore dhe praktike. Shqiptarët, siç e kanë vërtetuar edhe regjistrimet e popullsisë, janë shumicë e dytë në Maqedoninë e Veriut dhe jo minoritet. Gjuha shqipe, me shkrimin dhe alfabetin e saj, duhet dhe do të jetë gjuhë shtetërore në të gjithë Maqedoninë e Veriut, tërësisht e barabartë me gjuhën maqedonase. Administrata duhet të pajiset kudo me përkthyes nga gjuha shqipe dhe kjo do të sanksionohet në Ligjin për Gjuhët. Qeveria e VLEN-it do ta forcojë inspektoratin për zbatimin e Ligjit për Gjuhët dhe do të krijohen mekanizma ndëshkues për institucionet që nuk e respektojnë gjuhën shqipe. Këto çështje nuk janë kërkesa të reja, por duhet të ishin zgjidhur prej kohësh. Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e cila u arrit në vitin 2001, ishte një kompromis ku përfaqësuesit e komunitetit shqiptar lëshuan pe për hir të kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë dhe për shkak të vullnetit tonë për paqe. Pikat e asaj marrëveshjeje kishin katër vite afat që të përmbusheshin. Fatkeqësisht, edhe si pasojë e keqqeverisjes, 22 vite më vonë ende ato pika nuk janë përmbushur. Ligji për Festat duhet të reflektojë barazi. Do të njihen plotësisht edhe festat kombëtare shqiptare. Përdorimi i himnit, stemës dhe flamurit kombëtar shqiptar në shkolla dhe institucione do të gëzojë të drejtën e barabartë ligjore me atë të maqedonasve. Asnjëra prej këtyre të drejtave të barabarta nuk përbën rrezik për Maqedoninë e Veriut, por thjesht krijon kushtet për bashkëpunim dhe bashkëjetesë normale.
3
1
DECENTRALIZIMI
Decentralizimi është domosdoshmëri. Ai i hap rrugën modernizimit, zhvillimit dhe bashkëjetesës paqësore. Decentralizimi është vlerë evropiane dhe, njëkohësisht, ishte një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Për të njëjtat arsye, zbatimi ka qenë i mangët dhe Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë ndër shtetet më të centralizuara në kontinent. Dallimi zhvillimor dhe ekonomik mes rajoneve të privilegjuara nga qeveritë e kaluara dhe rajoneve me shumicë shqiptare është rritur shumë, sidomos si pasojë e mungesës së decentralizimit fiskal. VLEN-i do ta çojë përpara praktikën evropiane të decentralizimit komunal: më shumë buxhet dhe më shumë fuqi vendimmarrëse për komunat tona – më shumë zhvillim dhe më shumë barazi për qytetarët tanë. Modelet tona mund të jenë shtete të zhvilluara si Gjermania dhe Belgjika. Komuna, nën qeverisjen e VLEN-it, do të jetë niveli kryesor shtetëror sa i përket investimeve, administratës, rendit civil dhe shërbimeve publike.
4
1
REFORMA TERRITORIALE DHE ELEKTORALE
Maqedonia e Veriut duhet të ndahet në tetë njësi elektorale, në përputhje edhe me rajonet planore. Ndarja aktuale me gjashtë njësi prodhon pabarazi në votë, duke shkaktuar vazhdimisht nënpërfaqësim të shqiptarëve dhe nuk respekton as rajonet planore ekzistuese, as krahinat dhe komunitetet tradicionale e historike.
5
1
LIGJI PËR PËRFAQËSIMIN E DREJTË DHE ADEKUAT
Përfaqësimi i shqiptarëve nuk duhet të jetë më i ulët se 31,51% në secilin institucion, sipas rezultateve të Regjistrimit të Popullsisë të vitit 2021 dhe metodologjisë aktuale të mekanizmit Balancer, i cili buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Kjo vlen si në nivel të përgjithshëm në strukturën e secilit institucion, ashtu edhe në pozitat udhëheqëse.
VLEN-i në qeveri do të sjellë rritjen e përfaqësimit horizontal dhe vertikal në hierarkinë institucionale, me vëmendje të shtuar për disa institucione të rëndësishme ku pjesëmarrja e shqiptarëve deri më sot është thuajse inekzistente, qoftë në nivel të përgjithshëm apo në pozita drejtuese. Këtij fenomeni do t’i japim fund përmes Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili do të përfshijë sanksione për institucionet që nuk e respektojnë parimin kushtetues, por gjithashtu do të eliminojë të gjitha përjashtimet, pengesat dhe inkonsistencat ligjore që pamundësojnë përfaqësimin e drejtë dhe të përshtatshëm të shqiptarëve.
6
1
RESPEKTIMI I MERITOKRACISË
Në të gjitha nivelet, shqiptarët dhe qytetarët e tjerë do të punësohen mbi bazën e meritës, përgatitjes arsimore, profesionale dhe përvojës së punës, e jo thjesht sipas librezave partiake.
7
1
GARANTIMI I TË DREJTAVE QYTETARE,
JO PASIVIZIMIT TË TYRE
VLEN-i do të angazhohet që t’i jepet fund problemeve që shkakton i ashtuquajturi “pasivizim” i adresave, i cili në fakt përbën pasivizim të të drejtave që Kushtetuta ua garanton të gjithë qytetarëve si shtetas, pavarësisht sa kohë, në cilin vend banojnë apo nëse janë të pastrehë. Deri më sot, pasivizimi ka ndodhur automatikisht, por riaktivizimi, në shumicën e rasteve, ka qenë shumë i mundimshëm dhe i vështirë. Me qeverinë e VLEN-it, procedurat e riaktivizimit do të jenë të njëjta me ato të pasivizimit, pra po aq të thjeshta dhe automatike.
8
1
REGJISTRIMI I POPULLSISË:
T’I NUMËROJMË, SIÇ NA NUMËROJNË
VLEN-i do të angazhohet për pjesëmarrjen e barabartë të shqiptarëve në procesin e regjistrimit të popullsisë. Ashtu siç numëruesit maqedonas dërgohen në rajonet me shumicë shqiptare për të qenë pjesë e regjistrimit të popullsisë, ashtu edhe shqiptarët do të shkojnë në rajonet me shumicë maqedonase për të qenë pjesë e këtij procesi. Nëse njëra palë e numëron tjetrën, duhet të ndodhë edhe e anasjella.