Koalicioni VLEN

Koalicioni VLEN vlerëson se shqiptarët kanë nevojë për “ndryshimin e madh”.

Ky koalicion në zgjedhjet presidenciale garon me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit, ndërsa në zgjedhjet parlamentare do të ketë lista të përbashkëta në gjashtë njësitë zgjedhore sa ka Maqedonia e Veriut.

DEKLARATË VLEN

Për bashkimin e forcave opozitare shqiptare në koalicionin “VLEN”, që do të angazhohet për këto shtylla programore:

• Anëtarësimi i plotë dhe i pazëvendësueshëm i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe thellimi i partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë të tjerë në NATO;

• Beteja e pakompromistë kushtetuese, ligjore e politike me krimin, korrupsionin dhe minimin e shtetit të së drejtës, duke promovuar një gjyqësor të pavarur, efikas dhe të drejtë;

• Hartimi i strategjisë për zhvillimin e arsimit, që të jetë komplementar me vlerat autoktone, njëherazi duke synuar cilësi të përmasave europiane, si dhe në përputhje me nevojat e tregut të punës;

• Barazia e plotë ndërmjet dy kombeve shtetformuese, maqedonasve dhe shqiptarëve, duke përfshirë arritjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, si dhe mënjanimin e të gjitha definicioneve të deritanishme kushtetuese dhe ligjore të shprehura në terma numerikë, si dhe të barrierava të tjera ligjore që sot shërbejnë për t’i kufizuar të drejtat e kombit shqiptar;

• Reforma rrënjësore në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, duke përfshirë revidimin e sistemit të rrogave në sektorin publik dhe mbështetjen e sektorit privat, investimet në përmirësimin e kapitalit njerëzor dhe instalimin e patjetërsueshëm të meritokracisë në të drejtën e punës dhe avancimin në karrierë;

• Avancimi i kornizës ligjore për zhvillim të barabartë rajonal dhe decentralizim fiskal funksional, duke e përcaktuar këtë edhe në buxhetin qendror të shtetit;

• Hartimi i strategjisë nacionale për kthimin e mërgimtarëve të aftë për punë, të cilën do ta miratojë Kuvendi i Republikës së Maqedonisë se Veriut, duke përfshirë krijimin e kushteve të përshtatshme për investitorët nga mërgata.

• Avancimi i shtetit zhvillimor të gjelbër dhe të digjitalizuar, që do ta eliminojë ndotjen e mjedisit jetësor, do të zhvillojë burime alternative dhe të pastra të energjisë dhe do ta përkrahë bujqësinë si sektor themelor i zhvillimit ekonomik dhe territorial.

VLEN mbetet e hapur për të gjithë individët, shoqatat dhe partitë politike që shfaqin gatishmëri të bashkohen me të për t’i afirmuar këto përcaktime programore.

VLEN do të kandidojë një emër të përbashkët për zgjedhjet presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit 2024 dhe do të dalë me kandidatë të përbashkët për deputetë në zgjedhjet e parlamentare të 8 majit 2024.

Programi i koalicionit VLEN

Scroll to Top