1
1
EVROPIANIZIMI I DREJTËSISË
Në 8 vitet e fundit, vendi ka pësuar rëniet më të mëdha si në demokratizim, ashtu edhe në luftën kundër korrupsionit. Gjyqësori kurrë nuk ka qenë më i kapur dhe më jofunksional, me shumicën dërrmuese të gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë vetë të korruptuar dhe nën kontrollin e pushtetit. Vazhdimi i pandëshkueshmërisë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, veçanërisht në segmentin e pushtetit, dhe drejtësia selektive në rastet e montuara politikisht kanë sjellë një gjendje ku vetëm 2% e qytetarëve i besojnë drejtësisë. VLEN angazhohet për krijimin e një trupe të përkohshme ekspertësh perëndimorë, kryesisht nga vendet evropiane, që do të integrohen në këshillat prokurorialë dhe gjyqësorë të Maqedonisë së Veriut për një mandat gjashtëvjeçar. Kjo trupë do të monitorojë punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve vendas, por do të kontribuojë edhe vetë si gjyqtarë dhe prokurorë. Pagat e tyre do të paguhen nga Maqedonia e Veriut, por do të kërkohet edhe ndihma e vendeve partnere.
2
1
REFORMË DHE VETTING
Një pako legjislative për reformimin e tërësishëm të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë, duke përfshirë:
- Ligj për vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshirë krijimin e një organi të pavarur, të themeluar enkas për këtë proces, në përputhje me standardet evropiane dhe me asistencë ndërkombëtare.
- Reformimin e sistemit për zgjedhjen, avancimin, disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë, përfshirë edhe Prokurorin Publik të Shtetit, për të siguruar që pavarësia e pushtetit gjyqësor të respektohet dhe promovohet në të gjitha nivelet.
- Digjitalizimin e plotë të gjykatave, në përputhje me Kornizën Strategjike të Këshillit të Evropës, me fokus në optimizimin e operacioneve të gjyqësorit dhe ndërveprimin ndërmjet institucioneve.
3
1
PA KOMPROMIS KUNDËR KRIMIT DHE KORRUPSIONIT
Një pako legjislative për luftë të pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit, duke përfshirë:
- Miratimin urgjent të Ligjit për Zyrën për Rikuperimin e Pasurive. Kjo do të kërkojë miratimin e normave të reja legjislative, veçanërisht kthimin mbrapsht të barrës së provës për origjinën e pasurive dhe konfiskimin paraprak në rastet e pasurisë së pashpjegueshme, në përputhje me acquis communautaire të BE-së. Konfiskimi i aseteve kriminale duhet të bëhet prioritet strategjik dhe të përgjithësohet në procedurat penale për lëndët e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Në vitin 2021, kanë qenë vetëm katër raste të konfiskimit të pasurisë së paligjshme, me vlerë të përgjithshme prej rreth 256 mijë eurosh.
- Forcimin e kompetencave dhe burimeve të Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar, për të mundësuar sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale.
- Forcimin e kompetencave ligjore të organeve përgjegjëse për zbatimin e Strategjisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konflikteve të Interesit, veçanërisht të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK), Policisë Financiare dhe Entit Shtetëror të Revizionit.
- Miratimin e ligjit të ri për kontrollin e brendshëm financiar publik (KBFP).
- Krijimin e Rrjetit Koordinues Antimashtrim, me synim parandalimin, menaxhimin dhe raportimin e parregullsive që prekin fondet e BE-së.
4
1
PËRGJEGJËSI PENALE PËR PRONAT E PËRFITUARA PALIGJSHËM
Kornizë e re ligjore për hetimin e rasteve të keqpërdorimeve (pjesa e shtuar nga materialet e LD-së).
Amandament për plotësimin e neneve 52 dhe 112 të Kushtetutës. Amendamenti do të japë një bazë kushtetuese për shqyrtimin e të gjitha procedimeve gjyqësore për personat e mëparshëm ose aktualë të zgjedhur dhe të emëruar, të cilat janë pezulluar për shkak të shlyerjes së përgjegjësisë së mundshme penale. Për këtë amendamentim do të përdoret modeli kroat, me ç’rast përfitimi i paligjshëm i pronës i arritur në procedurën e privatizimit ose në operimet që lidhen me të, si dhe shpërdorimi i kompetencave gjatë mbrojtjes së Republikës së MV-së, do të revokohet. Përfitimi i pronës në shkallë të gjerë, në dukje disproporcional, i arritur në procesin e privatizimit apo në operimet që lidhen me të ose me mbrojtjen e Republikës së MV-së, do të taksohet në përputhje me ligjin. Zbatimi i këtyre dispozitave nuk do të cenojë të drejtat e palëve të treta që kanë vepruar me mirëbesim.
5
1
STANDARDE DHE ETIKË NË VEPRIMTARINË PUBLIKE
Do të themelohet Komisioni për Standardet në Jetën Publike, bazuar në përvojën e Mbretërisë së Bashkuar. Ky trup do të ketë për synim promovimin e etikës dhe moralit në jetën publike, më konkretisht duke promovuar 7 Parimet e Nolanit për Jetën Publike: vetë-mohimi, integriteti, objektiviteti, llogaridhënia, transparenca, ndershmëria dhe lidershipi. Komisioni do të shërbejë si organ këshillimor i Presidentit dhe i organeve shtetërore përgjegjëse për shtetin e së drejtës. Komisioni do të jetë trup i pavarur, që i përgjigjet Parlamentit. Kryetari i Komisionit do të zgjidhet në Kuvend dhe Komisioni do të ketë buxhetin e vet, të pavarur nga organet e tjera.
6
1
RRITJE E INVESTIMEVE NË GJYQËSOR DHE PROKURORI
Dyfishimin e investimeve publike në gjyqësor, në prokurorinë publike dhe në institucionet përgjegjëse për parandalimin e korrupsionit, me prioritet të veçantë për Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Departamentin e Specializuar për Gjykimin e Veprave nga Sfera e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë, Byronë e Sigurisë Publike, Entin Shtetëror të Revizionit dhe qendrat e tjera hetimore dhe njësitë për zbatimin e ligjit të ngarkuara me hetimin e korrupsionit. Në planin afatmesëm, nevojiten reforma ligjore për të siguruar që përgatitja e buxhetit për gjyqësorin dhe institucionet kundër korrupsionit të jetë tërësisht, ose të paktën pjesërisht, nën kontrollin e organeve të pavarura dhe autonome dhe jo të qeverisë, nga faza e përgatitjes së projektbuxhetit e deri në miratimin e tij nga ana e Kuvendit. Kjo do të garantojë që buxheti i këtyre institucioneve të jetë sistematikisht i mbrojtur nga ndërhyrjet politike.
7
1
PËR PUNËSIM, TRANSPARENCË TË PLOTË
Do të themelojmë një Komision Shtetëror për Transparencë, ku secili mund të ankohet nëse beson se ka pasur padrejtësi në vlerësimin që i është bërë gjatë konkursit për punësim. Ky Komision Shtetëror për Transparencë do ta shqyrtojë lëndën dhe do t’i bëjë publike të gjitha dokumentet dhe dokumentacionin e të gjitha palëve të interesuara.