1
1
PLAN KATËRVJEÇAR PËR DIGJITALIZIM
Duke u bazuar në strategjitë dhe aktivitetet e ndërmarra nga BE-ja, plani ynë katërvjeçar për digjitalizimin e vendit përshkruan iniciativat dhe strategjitë kryesore për të shfrytëzuar fuqinë dhe mundësitë e digjitalizimit për të mirën e të gjithë sektorëve në vendin tonë. Ky plan do të financohet përmes formave të ndryshme, varësisht nga fusha në fjalë, duke përfshirë fondet e buxhetit shtetëror, siç janë Fondi për Digjitalizim dhe Fondi i Inovacionit, si dhe grantet ndërkombëtare, veçanërisht fondet evropiane, si Fondet Strukturore dhe Investuese, Fondi për Transformim Digjital, programet për kërkime shkencore dhe inovacion, Programi për Evropën Digjitale, Programi për Shëndetësi dhe Programi për Evropën Kreative. Veç kësaj, do të shfrytëzohen edhe huatë e Bankës Evropiane të Investimeve (EIB) për të ndërtuar partneritete publiko-private, pa përjashtuar edhe kontributet e sektorit privat dhe donacionet filantropike.
2
1
INFRASTRUKTURA DIGJITALE, 5G DHE FIBRA OPTIKE
Në dy vitet e para do të fokusohemi në investimet në infrastrukturën digjitale, ku do të alokojmë fonde të konsiderueshme për zhvillimin e rrjeteve me brez të gjerë dhe shpejtësi të lartë, duke përfshirë 5G-në dhe infrastrukturën me fibra optike, për të siguruar akses universal, të shpejtë dhe të besueshëm për të gjithë qytetarët në vend. Për këtë aktivitet, do të shqyrtojmë mundësitë për nxitjen e partneriteteve publiko-private për të përshpejtuar vendosjen e infrastrukturës digjitale, veçanërisht në zonat rurale.
3
1
KUALIFIKIM DHE EDUKIM
Në dy vitet e para do të zbatojmë programe gjithëpërfshirëse për trajnime formale dhe joformale, me qëllim trajnimin dhe edukimin e qytetarëve në aftësitë digjitale. Theks i veçantë do t’u kushtohet aktiviteteve për krijimin e programeve dhe kurrikulave, me çka do të sigurohemi se do të zbatohen programe gjithëpërfshirëse të aftësive digjitale në shkollat fillore dhe të mesme, në universitete dhe në qendrat për formim profesional, për t’i pajisur qytetarët me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të shfrytëzuar mundësitë që ofron digjitalizimi. Në këtë drejtim, do të krijojmë një fond të veçantë, i cili do të stimulojë bizneset që të ofrojnë trajnime të vazhdueshme digjitale për punonjësit, me fokus në përmirësimin dhe rikualifikimin e punëtorëve në fushat që shteti ynë i ka definuar si prioritete kryesore.
4
1
EKOSISTEMI DHE SIGURIA KIBERNETIKE
Digjitalizimi nuk është i plotë, madje është edhe i rrezikshëm pa një ekosistem të sigurt digjital. Ne do të angazhohemi për përmirësimin e sigurisë kibernetike në nivel nacional, duke përfshirë zhvillimin institucional në përputhje me direktivat evropiane, krijimin dhe implementimin e strategjisë për siguri kibernetike, planeve të reagimit ndaj incidenteve dhe mekanizmave të shkëmbimit të informacionit. Do të investohet në krijimin e programeve të specializuara në universitete, me qëllim ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe përmirësimin e kërkimeve shkencore që lidhen me zhvillimin e teknologjive më të avancuara të sigurisë kibernetike, për të mbrojtur infrastrukturën kritike, bizneset dhe individët nga kërcënimet kibernetike. Do të ngremë Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike për kërkime, trajnime dhe reagim ndaj incidenteve të sigurisë kibernetike.
5
1
DIGJITALIZIMI I SIPËRMARRËSISË DHE INOVACIONI
Në vitin e tretë dhe të katërt të qeverisjes do të fokusohemi në digjitalizimin e sipërmarrësisë dhe inovacionit digjital, ku do të krijojmë një ekosistem mbështetës për ndërmarrësit e rinj, nëpërmjet programeve financiare nacionale dhe programeve të mentorimit për digjitalizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Do të krijojmë qendra për inovacion, digjitalizim dhe sipërmarrësi në të gjitha qytetet e shtetit, për të ndihmuar dhe përshpejtuar digjitalizimin, për të nxitur bashkëpunimin dhe shkëmbimin e njohurive midis sipërmarrësve, studiuesve dhe investitorëve, si dhe për ngritjen e cilësisë së shërbimeve. Do të krijojmë një fond për përfshirje sociale në digjitalizim, për të ofruar subvencione për familjet me të ardhura të ulëta, me qëllim blerjen e pajisjeve kompjuterike dhe sigurimin e aksesit në internet.
6
1
GJITHËPËRFSHIRJA
Me qëllim kapërcimin e ndarjes digjitale, do të krijojmë standardet minimale që duhet të plotësohen gjatë krijimit të shërbimeve digjitale, me qëllim që shërbimet të jenë lehtësisht të qasshme për të gjitha kategoritë e qytetarëve tanë.
Do të krijojmë një qendër nacionale për të ofruar mbështetje në nivel nacional për përfshirjen digjitale, por gjithashtu edhe për të kontrolluar nëse shërbimet i plotësojnë apo jo standardet minimale për përfshirjen digjitale. Do të krijojmë pika shërbimi në të gjithë shtetin, të cilat do të ndihmojnë në aksesimin e teknologjisë dhe shërbimeve digjitale për popullatën e cenueshme, duke përfshirë të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët me aftësi të kufizuara digjitale.
Do të krijojmë një sistem nacional, përmes të cilit do të sigurohemi që të gjitha platformat digjitale, faqet e internetit dhe shërbimet publike të jenë të aksesueshme për të gjithë përdoruesit, pavarësisht nga aftësitë ose ekspertiza e tyre teknike.
7
1
SHËRBIME PUBLIKE DIGJITALE
Transformimi digjital i shërbimeve publike është një ndër proceset më të rëndësishme për ngritjen e cilësisë së shërbimeve, ofrimin e shërbimeve në kohë reale, si dhe luftën kundër korrupsionit. Për këtë arsye, do të bëjmë modernizimin e shërbimeve dhe proceseve qeveritare nëpërmjet adoptimit të teknologjive moderne digjitale. Do të vazhdojmë me përmirësimin e platformës elektronike qeveritare, do të adaptojmë ligjet që mundësojnë implementimin e nënshkrimit elektronik dhe do të punojmë që identiteti digjital i qytetarit të jetë procesi i vetëm për identifikim në nivel nacional. Do të promovojmë parimet për dizajnin e sistemeve, ku në qendër është qytetari, me qëllim përmirësimin e qasjes dhe lehtësimin e përdorimit të shërbimeve publike.
8
1
SHENDETI DHE MIREQENIA DIGJITALE
Do të shfrytëzojmë potencialet e teknologjive në mjekësi, të tilla si telemjekësia dhe aplikacionet mjekësore, për të përmirësuar ofrimin e kujdesit shëndetësor, për të promovuar kujdesin parandalues dhe për të lehtësuar proceset, me qëllim që institucionet shëndetësore dhe pacientët t’i menaxhojnë ato në mënyrë më efektive. Do të punojmë fuqishëm në sigurimin e ndërveprimit dhe sigurisë së sistemeve të të dhënave shëndetësore, për të lehtësuar shkëmbimin e pandërprerë të të dhënave ndërmjet pacientëve dhe institucioneve shëndetësore, si dhe për të përmirësuar ndërveprimin ndërmjet pacientit dhe institucionit shëndetësor.
9
1
INTELIGJENCA ARTIFICIALE DHE QEVERISJA DIGJITALE
Do të nxisim që çdo institucion të krijojë udhëzime, rregullore dhe kornizë etike për zhvillimin dhe vendosjen e përgjegjshme të teknologjive, me theks të veçantë te inteligjenca artificiale, duke siguruar transparencë, llogaridhënie dhe drejtësi. Në këtë drejtim, do të krijojmë një program për investime në kërkime dhe inovacione për të adresuar implikimet etike dhe shoqërore të inteligjencës artificiale, duke përfshirë paragjykimet, diskriminimin dhe transparencën algoritmike.
10
1
INTELIGJENCA ARTIFICIALE DHE QEVERISJA DIGJITALE
Do të mbështesim institucionet kulturore dhe krijuese në shfrytëzimin e teknologjive digjitale për të inovuar, për të krijuar formate të reja shprehjeje dhe për të arritur një audiencë më të gjerë. Do të krijojmë programe për promovimin e shkrim-leximit digjital dhe iniciativa për ruajtjen e trashëgimisë kulturore përmes digjitalizimit të saj.