1
1
FUQIZIM I KOMUNAVE
VLEN, në qeverisje, garanton praktikat evropiane të decentralizimit: më shumë autonomi fiskale dhe më shumë fuqi vendimmarrëse e kompetenca në komunat tona. Kjo do të thotë më shumë zhvillim dhe më shumë barazi për qytetarët tanë. Maqedonia e Veriut sot është ndër shtetet më të centralizuara në kontinent, gjë që ka rritur pabarazinë e zhvillimit rajonal, veçanërisht aty ku banojnë shqiptarët. Nevojitet një model i mirëfilltë decentralizimi, që mundëson vetëqeverisje lokale efikase dhe eficiente, e cila plotëson nevojat e qytetarëve dhe i jep fund politikës së shantazhimit dhe të kushtëzimit të komunave nga niveli qendror përmes sistemit të donacioneve dhe të investimeve nga lart-poshtë.
Synimi ynë kryesor është që të dyfishohen të ardhurat e komunave nga të ardhurat e përgjithshme publike, duke mundësuar autonomi fiskale të qëndrueshme për vetëqeverisjen lokale, si dhe investime e zhvillim për vetë qytetarët.
2
1
ZHVILLIMI I BARABARTË RAJONAL
Koalicioni VLEN garanton rritje substanciale të investimeve kapitale në rajonet më pak të zhvilluara, dhe sidomos atje ku nuk ka pasur fare investime të tilla. Do të angazhohemi për shndërrimin e rajoneve aktuale planore në Qendra të Avancuara Administrative, ku pasqyrimi dhe shtrirja e të gjitha niveleve të pushtetit ekzekutiv (ministri, ndërmarrje publike, agjenci, drejtori, shoqëri aksionare) dhe gjyqësor (gjykata dhe prokurori të apelit) do të bëhet sipas modelit të rajoneve, e jo sipas modelit aktual që shkakton konfuzion dhe disbalancë.
Që të ketë barazi, duhet të ketë kompensim. Në ato rajone ku në të shkuarën është investuar më pak, tash duhet të investohet më shumë. Barazia në zhvillimin e rajoneve është e mirë e përbashkët; ajo i intereson të gjithëve, sepse sjell rritje të kohezionit shoqëror, rrit bashkëpunimin, çliron potencialin ekonomik dhe forcon bashkëjetesën e mirëqenien në Maqedoninë e Veriut.
Edhe përkundër rritjes së investimeve qendrore për zhvillim të barabartë rajonal gjatë viteve të fundit, arritja e cakut prej 1% të PBB-së mbetet shumë larg, pasi detyrimi ligjor nuk zbatohet: vetëm 7,4 milionë euro janë ndarë në buxhetin e vitit 2021 dhe rreth 7,8 milionë euro në buxhetin e vitit 2022, apo përafërsisht 0,05% e PBB-së. Ne do ta rishohim dhe do ta zbatojmë ligjin që parasheh që 1% e PBB-së të alokohet për zhvillim të barabartë rajonal. Do të zbatohen programe specifike për rajonet planore më pak të zhvilluara nga ana e Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik dhe do të rriten kompetencat e komunave në menaxhimin e pasurive natyrore, si uji, pyjet dhe minierat.
3
1
REFORMA TERRITORIALE E KOMUNAVE
VLEN mbështet një reformë administrative-territoriale për komunat e Maqedonisë së Veriut, duke reflektuar parimet e qeverisjes lokale në Bashkimin Evropian. Riorganizimi i komunave duhet të bëhet në bazë të funksionalitetit. Dallimi mes komunave, duke pasur parasysh demografinë, territorin, ekonominë dhe infrastrukturën, nuk duhet të jetë më i madh se 20%.
Ne qëndrojmë për zvogëlimin e numrit të komunave dhe për rritjen e kompetencave të tyre. Kjo do të rrisë efikasitetin në dhënien e shërbimeve, por edhe mirëpërdorimin e buxhetit.
4
1
BASHKËPUNIM INTENSIV NDËRKOMUNAL
Në komuna do të rrisim kapacitetet për bashkëpunim ndërkomunal, i cili do të sjellë mundësi të reja zhvillimore. Për projekte të mëdha të natyrës infrastrukturore apo të shërbimeve mjedisore, shëndetësore e arsimore, komunat do të mund të krijojnë buxhete të përbashkëta. Me vetëiniciativë, komunat tona do të formojnë ekipe të përbashkëta ekspertësh, të cilat do të aplikojnë për fondet e Bashkimit Evropian, në mbështetje të zhvillimit ekonomik, teknologjik dhe të infrastrukturës. VLEN, në qeverinë qendrore, do të jetë vazhdimisht zëri politik i pushtetit lokal.
5
1
PJESËMARRJA NË ALOKIMIN E PROJEKTEVE QEVERITARE
Komuna duhet të jetë ajo që përcakton se në cilat projekte dhe ku shkojnë investimet shtetërore në nivelin lokal, e jo qeveria qendrore. Komunat e dinë më së miri se cilat janë prioritetet dhe nevojat e natyrës zhvillimore, sociale apo mjedisore. Ato janë më të afërta me taksapaguesin, pra me qytetarin, dhe ato do të jenë vendimmarrëse.
Komunat duhet të kenë buxhet të caktuar për investime kapitale infrastrukturore, në bazë të numrit të popullsisë.
6
1
KRIJIMI I EKIPEVE NDËRKOMUNALE PËR INVESTIME
Qeveria, në bashkëpunim me komunat, do të krijojë një ekip të përhershëm me ekspertë, të cilët do të hulumtojnë mundësitë dhe do të aplikojnë te partnerët ndërkombëtarë, bankat zhvillimore apo shtetet donatore, për të sjellë investime në komunat me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.