1
1
PLANIFIKIMI RAJONAL
Brenda dy viteve do të përfundojë planifikimi i përgjithshëm i zhvillimit territorial, urban, infrastrukturor dhe zhvillimor për komunat shqiptare.
Në fokus do të jetë krijimi i një rrjeti rrugor modern, duke filluar nga rrugët malore, rrugët dytësore, rrugët kombëtare, autostradat dhe hekurudhat.
2
1
BARAZIA KOMBËTARE DHE MARRËVESHJA E OHRIT
VLEN do të fokusohet specifikisht në përmirësimin e ndjeshëm të rrugëve që lidhin Maqedoninë e Veriut me Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe në modernizimin e linjave hekurudhore për pasagjerë dhe mallra me Kosovën dhe Shqipërinë.
Rrugët kryesore do të jenë të digjitalizuara, me rrjet të fibrave optike. Ne do të angazhohemi për ndërtimin e shpejtë dhe cilësor të rrugëve:
- Tetovë–Prizren, brenda dy viteve kalendarike;
- Rregullimin e rrugës dhe hapjen e kalimit kufitar Llojan (Likovë) – Miratoc (Preshevë);
- Dibër–Peshkopi, brenda mandatit qeverisës;
- Porti i Thatë në Strugë, brenda mandatit qeverisës;
- Rrjeti hekurudhor modern Shkup–Prishtinë dhe Shkup–Strugë–Durrës, brenda mandatit qeverisës.
3
1
ZHVILLIMI I FSHATRAVE DHE MALËSIVE
Që banorët të mos i braktisin fshatrat dhe malësitë, duhet që qeveria të mos i braktisë ato.
Qeveria e VLEN-it angazhohet për:
- Rrugë të asfaltuar në secilin fshat;
- Ujë të pijshëm në çdo fshat;
- Kanalizime në çdo fshat;
- Ndriçim publik në çdo vendbanim;
- Shkollë fillore për çdo tre fshatra;
- Shkollë të mesme për çdo dhjetë fshatra.
4
1
INFRASTRUKTURA E ENERGJISË
Në përputhje me rregullativat e Bashkimit Evropian, do të hartohet programi për tranzicion të drejtë dhe të sigurt energjetik, që gradualisht do të reduktojë përdorimin e lëndëve djegëse fosile për prodhimin e energjisë elektrike.
E domosdoshme për këtë është rikonceptimi i strategjisë shtetërore për energjinë, ku duhet të jepen udhëzime të qarta dhe të fizibilshme për zhvillimin e sektorit energjetik. Me rëndësi parësore është të mendohet për vijimësinë e TE Manastir, që kërkon hapjen e minierave të reja të qymyrit, por, duke pasur parasysh burimet e kufizuara, paralelisht duhet të hartohet programi për shfrytëzimin e impianteve ekzistuese për prodhimin e energjisë elektrike, duke shfrytëzuar lëndë djegëse të tjera alternative, të tilla si gazi. Në strategji duhet të përkufizohet fizibiliteti dhe dinamika e përdorimit të lëndëve djegëse alternative në kapacitetet ekzistuese dhe e ndërtimit të kapaciteteve të reja të prodhimit, të tilla si gazifikimi i TE Osllomej dhe TE Negotinë, ndërtimi i RHE Çebren dhe Galishtë, ndërtimi i parqeve me erë dhe centraleve fotovoltaike, deri në shkallën e menaxhimit të sigurt dhe efikas të sistemit elektroenergjetik, si dhe kapaciteteve dhe teknologjive të tjera të prodhimit që do të sigurojnë prodhim të besueshëm dhe sovran të energjisë elektrike, duke garantuar njëkohësisht kritere strikte për prodhimin e “energjisë së pastër”.
Për të siguruar shpërndarjen e energjisë elektrike, është i domosdoshëm rivitalizimi i rrjetit ekzistues të transmetimit dhe ndërtimi i largpërçuesve të rinj, si të brendshëm, ashtu edhe interkonektivë. Në këtë kuptim, linjat ekzistuese 110 kV do të rivitalizohen në përputhje me strategjinë për rindërtimin/rivitalizimin e rrjetit të transmetimit. Projekti për ndërtimin e trafostacionit të ri 400 kV në Rajonin e Ohrit dhe lidhja interkonektive me Republikën e Shqipërisë, me përfundimin e ndërtimit të TS Ohër 400/110 kV dhe përfundimin e largpërçuesit 400 kV TS Manastir – TS Ohër – kufiri shqiptaro-maqedonas, do të jetë prioritet në realizimin e programit për zhvillimin e sektorit energjetik.
Prioritet kryesor është miratimi i Ligjit të ri për energjetikë, me zbatimin e plotë të rregullativave të përshtatura që kanë të bëjnë me funksionimin e sektorit energjetik. Ky është parakushti themelor për integrimin e tregut tonë në tregun e përbashkët evropian të energjisë elektrike. Si hap i parë do të jetë vazhdimi i aktiviteteve të bashkimit të tregut (market coupling) në tregjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, e më pas me Republikën e Bullgarisë, si projekte për të cilat tashmë kanë filluar aktivitetet. Procesi i bashkimit të tregut do të vazhdojë paralelisht edhe me vendet e tjera të rajonit, me qëllim të krijimit të tregut unik të energjisë elektrike, në të cilin do të përfitojnë qytetarët e vendit tonë.