Integrimi kombëtar

Integrimi kombëtar

1

1

EUROREGJIONE QË NA AFROJNË ME SHQIPËRINË DHE KOSOVËN

Ne do të angazhohemi për krijimin e tre Euroregjioneve të reja:
  • Euroregjioni i Maleve të Sharrit dhe të Korabit, me bashkëpunimin e Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë.
  • Euroregjioni i Karadakut të Shkupit, i cili do të përfshijë Kumanovën dhe komunat përreth, Luginën e Preshevës, si dhe Gjilanin dhe komunat përreth.
  • Euroregjioni i Liqeneve, me përfshirjen e Strugës, Ohrit, Resnjës, si dhe komunave të Shqipërisë dhe të Greqisë që ndodhen përgjatë liqeneve të Ohrit dhe Prespës.
Euroregjionet nuk kanë natyrë politike, por kanë mundësi të mira bashkëpunimi dhe financimi për zhvillim infrastrukturor, aktivitete biznesore dhe kulturore. Euroregjione të tilla ekzistojnë tashmë në rajonet maqedonase, njëri së bashku me Serbinë dhe Bullgarinë, ndërsa tjetri së bashku me Bullgarinë dhe Greqinë.

2

1

ZONAT E LIRA EKONOMIKE NDËRKUFITARE

Ne do të angazhohemi për themelimin e katër zonave të lira ndërkufitare, që do të ndihmojnë tregtinë, bashkëpunimin ekonomik dhe investimet midis Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kosovës dhe Luginës së Preshevës. Ato janë:
  • Zona e Lirë Ekonomike Ndërkufitare e Bllacës dhe Hanit të Elezit;
  • Zona e Lirë Ekonomike Ndërkufitare e Kumanovës, Gjilanit dhe Preshevës;
  • Zona e Lirë Ekonomike Ndërkufitare e Strugës dhe Pogradecit;
  • Zona e Lirë Ekonomike Ndërkufitare e Dibrës dhe Peshkopisë.
Zona të tilla mund të zhvillohen edhe në pjesën e Malësisë së Sharrit, ku fokusi do të jetë turizmi malor dhe ekonomia e përpunimit të mishit dhe prodhimeve blegtorale. Këto zona do të sjellin zhvillim në krahina që kanë mbetur pa përparim ekonomik dhe që deri më tash janë lënë në harresë të plotë. Këto zona janë ftuese për investime, krijojnë punësim dhe zvogëlojnë emigrimin. Në teorinë ekonomike, ato njihen si mundësi të mira zhvillimore për bizneset, sepse shfrytëzojnë avantazhet konkurruese, burimet dhe mundësitë e dy shteteve që kufizohen me njëra-tjetrën. Këto zona do të përkrahen me politika të veçanta financiare, tatimore dhe investuese, rregullativa të veçanta doganore etj.

3

1

NDËRTIMI I INFRASTRUKTURËS RRUGORE KOMBËTARE

VLEN konsideron prioritet kombëtar që, brenda mandatit të ardhshëm:
  • Të përfundohet Korridori 8, duke përfshirë transportin hekurudhor dhe atë rrugor, si edhe portin e thatë në Strugë. Korridori 8 do ta sjellë Shqipërinë më pranë nesh dhe Maqedoninë e Veriut më pranë Adriatikut.
  • Përfundimin e shpejtë të autostradës Shkup-Bllacë dhe të rrugës Prizren-Tetovë.
  • Projektimin dhe ndërtimin e rrugëve Gjilan-Kumanovë dhe Dibër-Peshkopi.
  • Rregullimin e rrugëve anësore përgjatë magjistrales Gostivar-Tetovë-Gostivar, me qëllim të zhvillimit të biznesit përgjatë magjistrales.
  • Hapjen e terminalit doganor në Jazhincë, përmes të cilit do të mundësohet doganimi i mallrave dhe shërbimeve dhe do të sigurohet rritje e drejtpërdrejtë ekonomike e rajonit.
Infrastruktura që ne dëshirojmë, si shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, është ajo që na afron me shqiptarët e tjerë.

4

1

INTEGRIM NDËRSHQIPTAR NË ÇDO SEKTOR JOPOLITIK

Politikisht, si shtet, Maqedonia e Veriut është integruar në bllokun euroatlantik, në NATO dhe do të integrohet në Bashkimin Evropian. VLEN do të angazhohet edhe për integrimin kombëtar shqiptar në fushat me afinitet të veçantë kulturor dhe ekonomik:
  • Në aspektet e sportit, arsimit, kulturës, shkollave, pjesërisht edhe të biznesit dhe tregjeve të ndryshme.
  • Tregu i përbashkët bujqësor, Banka Shqiptare, Qendra e Trajnimeve për Mësuesit, Instituti Pedagogjik, Shkollat për Mërgatën, Kupat Sportive, Olimpiadat dhe konkurset shkollore – të gjitha këto janë iniciativa që do t’i bëjmë në bashkëpunim me qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Ky lloj bashkëpunimi do të ruajë identitetin tonë kombëtar, që të mos rrezikojmë asimilimin apo prapambetjen, dhe do të ruajë traditat tona, për të cilat jemi krenarë.

5

1

ZBULIMI, RUAJTJA DHE GJALLËRIMI I TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Përparësi, me politikat e trashëgimisë dhe të kulturës, do t’i japim zhvillimit në Maqedoninë e Veriut të albanologjisë, arkeologjisë, antropologjisë dhe studimeve etnografike, në bashkëpunim ndërinstitucional mes Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit.

6

1

RESPEKTIMI I MERITOKRACISË

Themelimi i Muzeut të Historisë dhe Kulturës Shqiptare. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut akoma nuk kanë asnjë muze ku do të tubohen dhe ruhen artefakte që dëshmojnë për autoktoninë shqiptare në këto treva, por edhe për periudhat më të vonshme të historisë. Gjithashtu, aty do të duhet të konservohen edhe artefaktet e jetës kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve në këtë shtet. Muzetë do të ndërtohen në bashkëpunim me qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës. Do të shihet mundësia edhe për muze të tjerë të përbashkët dhe rritje të investimeve në infrastrukturën e kulturës, me theks të veçantë në këto projekte prioritare:
  • Përfundimi dhe futja në funksionim e godinës së teatrit dhe bibliotekës së Tetovës.
  • Ndërtimi ose gjetja e hapësirës për ushtrimin e veprimtarisë në mënyrë dinjitoze të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV.
  • Krijimi i hapësirave për Teatrin Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj.
  • Rinovimi i Pallatit të Kulturës të Gostivarit, të Tetovës dhe të Strugës, si dhe i Teatrit të Kumanovës.

7

1

ORGANIZIMI I LOJËRAVE PANSHQIPTARE

VLEN angazhohet që Lojërat Panshqiptare të organizohen çdo vit, duke përfshirë sportet tradicionale, ku mund të marrin pjesë edhe popuj e kombe të tjera, por duke respektuar rregullat e lojërave sipas traditave folklorike shqiptare. Këto lojëra do të promovojnë jetën e shëndetshme, sportin, miqësinë dhe paqen, si dhe do të jenë një pasaportë e mirë për kulturën fizike shqiptare kudo në botë.

8

1

TUR ÇIKLISTIK I KATËR SHTETEVE

Në bashkëpunim me federatat e çiklizmit, por edhe me qeveritë dhe komunat, do të organizojmë një tur të përvitshëm çiklistik që fillon në Ohër, përshkon Maqedoninë e Veriut, vazhdon drejt Kosovës, më pas drejt Malit të Zi, e më tej zbret drejt Shqipërisë dhe përfundon në Sarandë. Ky tur çiklistik do të ketë pjesëmarrjen e çiklistëve nga e gjithë bota, do të promovojë bukuritë turistike të katër vendeve dhe nuk do të jetë aspak më pak i rëndësishëm se turet e famshme të Francës, Italisë apo Spanjës.

9

1

ERASMUS SHQIPTAR

Ministria e Arsimit në qeverinë e VLEN-it do të bëjë marrëveshje me Kosovën dhe Shqipërinë, që studentët tanë të kenë mundësi të zhvillojnë një vit universitar në njërin nga universitetet e Kosovës ose të Shqipërisë. Këto programe i ndihmojnë mobilitetit të studentëve, e në të ardhmen edhe mobilitetit shoqëror dhe atij ekonomik, në një treg pune që do të jetë gjithmonë e më i integruar.