1
1
FEMIJËT DHE TË RINJTË – LOJË, SPORT E KULTURË
Për secilin fëmijë nën 18 vjeç, familja do të marrë një shtesë mujore prej 1 000 denarësh, me mundësi zgjatjeje deri në moshën 25 vjeç për fëmijët që ndjekin arsimin e lartë. Për çdo 1 000 banorë do të ndërtohet një terren sportiv i aksesueshëm, në radhë të parë nga fëmijët. Zotohemi për ndërtimin e 200 terreneve të reja sportive komunitare në vendbanimet shqiptare, brenda mandatit të parë, dhe 200 terreneve të tjera në mandatin e dytë.
Do të hapim pesë qendra të reja kulturore shqiptare, ku do të ofrohen kurse për fëmijët e talentuar në muzikë, vallëzim, këngë, pikturë, skulpturë e arte të tjera, si dhe do të krijohen grupe kulturore-artistike që do të mbajnë aktivitete të përhershme në shkallë lokale, shtetërore apo edhe ndërkombëtare.
Do të sigurojmë përkrahje institucionale dinjitoze për sportistët elitarë. Klubet sportive, të cilat arrijnë rezultate të larta në gara rajonale dhe ndërkombëtare, do të përfitojnë grante speciale për të siguruar funksionimin e tyre. Sportistëve të dalluar, të cilët arrijnë rezultate të larta në gara rajonale dhe ndërkombëtare, do t’u jepet rrogë shtetërore.
2
1
ÇERDHE BASHKË, GJITUR ME SECILËN SHKOLLË FILLORE
Çerdhet, ashtu si edhe shkollat, do të kalojnë plotësisht nën menaxhimin e komunave. Do të rritet ndjeshëm numri i çerdheve, gjë që do të mundësojë edhe rritjen e punësimit të grave dhe zhvillimin e hershëm të fëmijëve.
3
1
SHKOLLAT SI QENDRA KOMUNITARE
Secila shkollë do të ketë ambientet e veta sportive dhe kulturore, të cilat do të jenë në funksion jo vetëm të nxënësve, por edhe të komunitetit. Shkollat do të pajisen me biblioteka fizike, por edhe me biblioteka digjitale në gjuhën shqipe, ku secili nxënës i regjistruar do të mund të ketë akses në libra vendorë apo të përkthyer.
Shkolla duhet të mundësojë qasjen në internet për çdo nxënës dhe do të pajiset me laboratorë dhe teknologji të kohës sonë.
Konkurset dhe olimpiadat do të nxisin krijimin e programeve për nxënësit e talentuar, njësoj si edhe kampionatet sportive moshore.
4
1
EDUKATA MORALE DHE QYTETARE – LËNDË E DETYRUESHME
Fëmijët dhe të rinjtë tanë duhet të përgatiten për të qenë specialistë të mirë në fusha të ndryshme dhe anëtarë qytetarë të mirë e aktivë në komunitetin dhe botën e tyre. Për këtë, nxënësit do të mësojnë vlerat e rëndësishme tradicionale dhe moderne mbi përgjegjësitë e njeriut, për vlerat familjare dhe rëndësinë e familjes, mbi parimet e përbashkëta shoqërore, mbi detyrat dhe të drejtat e individëve, qytetarëve dhe komuniteteve, si dhe mbi bashkëjetesën dhe tolerancën. Synimi i shkollave tona duhet të jetë specialisti dhe qytetari i mirë, si dhe familja e shëndoshë.
Urrejtja, diskriminimi dhe papërgjegjësia duhen luftuar qysh në shkollë.
5
1
ARSIM DHE EDUKIM KOMBËTAR
Nisur nga bindja se, duke mësuar dashurinë për familjen, të afërmit dhe kombin e vet, fëmijët dhe të rinjtë tanë mësojnë dashurinë për njerëzimin, VLEN gjatë mandatit të vet do të angazhohet:
- Për unifikimin e sistemit dhe kurrikulave me Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa, nga aspekti cilësor, ato do të kontrollohen dhe certifikohen nga institucionet e Maqedonisë së Veriut.
- Lëndët e gjuhës, letërsisë, historisë, gjeografisë e të tjera që lidhen me shoqërinë dhe kulturën, në veçanti duhet të përdorin tekste dhe kurrikula të njëjta me Shqipërinë dhe Kosovën.
- Do të propozojmë krijimin e një instituti të përbashkët me këto dy shtete për përpunimin e kurrikulave të këtyre lëndëve. Do të promovojmë përdorimin e këtyre lëndëve dhe teksteve edhe në shkollat e diasporës.
- Do të evidentohen dhe do të korrigjohen librat shkollorë dhe materialet akademike që promovojnë gjuhë të urrejtjes dhe paragjykime, që krijojnë përçarje ose i ofendojnë ndjenjat kombëtare të bashkësive.
6
1
GJIMNAZ I FORTË
Pas përfundimit të klasës së nëntë, të gjithë nxënësit do të bëjnë një provim shtetëror për pranim në gjimnaz. Ata që nuk e kalojnë provimin shtetëror do të orientohen drejt arsimit profesional. Gjimnazet për teknologji dhe shkenca digjitale do të themelohen ose do të zhvillohen më tej në Shkup (ku aktualisht ekziston), Tetovë dhe Manastir. Aty do të ofrohet kurrikulë për teknologji dhe shkenca digjitale, si nevojë e kohës dhe bazuar në përvojat e vendeve të zhvilluara, ku japin rezultate të suksesshme. Këto shkolla duhet të jenë qendra ekselence për fëmijë të talentuar, që do të prodhojnë elitën shkencore të së ardhmes. Mësimi do të mbahet nga profesorë universitarë dhe numri i nxënësve në klasa nuk duhet të jetë më i lartë se 15 për klasë.
7
1
FORCIMI I ARSIMIT PRAKTIK DHE PROFESIONAL – ARSIMI DUAL
Do të vazhdohet me implementimin e arsimit dual nëpër shkollat e mesme profesionale dhe do të zgjerohet ai, me përfshirjen e të gjithë nxënësve të regjistruar në shkollat e mesme profesionale, të cilëve do t’u sigurohen bursa profesionale. Shkollat e mesme profesionale do të japin diploma të profesionit me licencë të kontrolluar nga shteti, gjë që do të thotë se të diplomuarit do të mund të fillojnë menjëherë punën në kompanitë private apo shtetërore. Përcaktimi apo klasifikimi i drejtimeve për nxënësit do të bëhet qysh nga klasa e 9-të, në shërbim të nevojave reale të tregut të punës. Ne do të zbatojmë formulën e arsimit dual të Gjermanisë, e cila së fundi po zbatohet me sukses edhe në Kosovë. Arsimi dual mundëson që nxënësit, disa orë në ditë, të shkojnë për të marrë praktikë pranë bizneseve tona vendore.
8
1
MËSUES CILËSORË – ORCIMI I FAKULTETIT PEDAGOGJIK
Do të jepen rroga për studentët cilësorë që regjistrohen në Fakultetin Pedagogjik. Do të krijojmë një qendër për trajnimin e mësuesve, në bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë. Secili mësues do ta ketë detyrim të marrë pesëdhjetë orë trajnim përgjatë secilit vit. Në çdo pesë vjet, mësuesit do t’i nënshtrohen një testimi të përgjithshëm shtetëror, për të siguruar që janë në nivelin e detyrës. Mësuesit që kalojnë me sukses trajnimet dhe testimet do të marrin rritje prej 3% të rrogës për secilin vit pune, përveç rritjeve dhe indeksimeve të tjera që bëhen për të gjithë. Mësuesit pa diploma nuk do të lejohen më.
9
1
IDENTITETI I SECILËS SHKOLLË
Secili institucion arsimor do të ketë dokumentim të plotë të rezultateve të nxënësve dhe të mësuesve në testimet shtetërore dhe ato ndërkombëtare. Do të ketë një inventar të investimeve dhe mjeteve që shkolla ka në përdorim, si dhe të gjendjes së tyre të vazhdueshme. Nga drejtorët e shkollave do të kërkohet aftësi menaxheriale dhe do të vlerësohen vetëm nëse e rrisin renditjen e shkollës së tyre vit pas viti.
10
1
RRITJA E KUJDESIT DHE SIGURISË NË SHKOLLA
Në shkolla do të ketë ambiente të përkushtuara për nxënësit me nevoja të veçanta. Shërbimi profesional nëpër shkolla do të përbëhet nga pedagogë, psikologë, defektologë dhe punonjës socialë të diplomuar, të cilët do t’i ndihmojnë nxënësit, por edhe do të sinjalizojnë institucionet dhe familjet për çdo rast problematik.
Në shkollat e mesme të përgjithshme do të ketë edhe një zyrë të këshillimit të karrierës, ku do të jepen këshilla profesionale për nxënësit para se ata të zgjedhin degën e studimeve universitare.
Këto këshilla do të marrin parasysh edhe prirjet dhe dëshirat e nxënësit, por edhe nevojat e tregut të punës.
Alkooli dhe droga do të mbahen strikt larg shkollave tona.
11
1
CILËSIA UNIVERSITARE
Do të krijohet një këshill i përbashkët i universiteteve shqiptare. Të tre universitetet publike do të nxiten të specializohen në fusha të gjera, por të ndryshme:
- Njëri në shkenca ekzakte dhe inxhinierike;
- Njëri në shkenca shoqërore dhe humane;
- Njëri në mjekësi dhe shërbime sociale.
12
1
AKADEMIA SHQIPTARE E SHKENCAVE DHE ARTEVE
Akademia do të themelohet si domosdoshmëri e kohës, për promovimin dhe studimin e kulturës, historisë dhe vlerave të larta të shoqërisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ky institucion do të mbetet jopartiak dhe do të mbledhë kontributet e shkencëtarëve dhe krijuesve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Përmes financimit të studimeve dhe botimit të periodikëve shkencorë, por edhe përmes organizimit të aktiviteteve akademike, do të afirmohen vlerat tona si komunitet, por edhe individët tanë me arritje të larta vendore e ndërkombëtare.