Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Unionit të Bashkive të Botës Turke (TDBB), të mbajtur në Stamboll, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të komunave të ndryshme dhe ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit dhe projektet e përbashkëta.

Kasami ka theksuar se takimi shënon një kapitull të ri për Unionin, duke i uruar kryetarit të sapozgjedhur, Fırat Görgel, sukses në detyrën e re, ndërsa ka falënderuar Uğur İbrahim Altay për përkushtimin dhe bashkëpunimin gjatë drejtimit të Unionit.

Sipas Kasamit, për Tetovën, TDBB ndër vite ka qenë një mundësi për krijimin e miqësive të reja, zhvillimin e bashkëpunimeve të rëndësishme dhe realizimin e projekteve konkrete.

Ai ka vlerësuar se takime të tilla paraqesin një mundësi të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet komunave dhe për krijimin e iniciativave të reja në interes të qytetarëve të Tetovës.

Kasami ka bërë të ditur se Tetova do të vazhdojë të jetë pjesë aktive e këtij bashkëpunimi dhe të avancojë marrëdhëniet me komunat anëtare të Unionit. përcjell Zhurnal.mk .