Mërgata dhe rikthimi

Mërgata dhe rikthimi

1

1

VOTA E MËRGATËS

VLEN angazhohet për garantimin dhe lehtësimin e votimit të mërgatës, si qytetarë dhe shtetas të barabartë të RMV-së. Modeli i Bullgarisë është i përshtatshëm për ne: në çdo qytet ku paraqiten 80 ose më shumë votues, ambasada jonë në atë vend organizon votimin. Të tjerëve u krijohet mundësia për të votuar përmes postës fizike, por edhe në mënyrë elektronike, siç e ka, për shembull, Estonia. Do të eliminohen deputetët e diasporës. Votuesit jorezidentë do të votojnë për listat e kandidatëve brenda shtetit, njëjtë si votuesit rezidentë.

2

1

BASHKËQEVERISJE ME MËRGATËN

Në kabinetin qeveritar, në disa poste zëvendësministrash apo në nivel drejtorish, do të afrohen kuadro nga mërgata. Do të krijohet Ministria e Diasporës, si sektor me përgjegjësi të plotë dhe buxhet vetanak, e drejtuar nga kuadro nga mërgata. Do të krijohet një strukturë e re: “Promotorët e RMV-së”, përmes së cilës mërgimtarët do të veprojnë si ambasadorë ekonomikë dhe tërheqës investimesh. Personalitete të veçanta nga jeta publike dhe sipërmarrës të mërgatës do të emërohen në pozitën e Konsullit të Nderit në vendet përkatëse, për të ndikuar kështu në përmirësimin e imazhit të vendit dhe komunikimit gjithëpërfshirës të mërgatës sonë me shtetet përkatëse. Në universitetet publike do të krijojmë hapësirën që kuadro nga mërgata të ligjërojnë si profesorë të ftuar apo të asociuar, qoftë edhe nga distanca.

3

1

SUBVENCIONIMI I BIZNESEVE TË MËRGIMTARËVE QË KTHEHEN

VLEN angazhohet për:
  • Subvencionimin e taksave dhe tatimeve për tre vitet e para për të gjithë ata që kanë jetuar pesë vjet ose më shumë jashtë vendit dhe kthehen për të investuar një shumë prej 50 000 eurosh apo më shumë në hapjen e një biznesi të ri në Maqedoninë e Veriut.
  • Përgjysmimin e tatimit mbi fitimin dhe aplikimin e sistemit të krediteve: bizneset e filluara nga mërgimtarët do të marrin rimbursim të përqindjes së taksës, në bazë të sektorëve ku investojnë (me prioritet teknologjitë e reja, përpunimin e ushqimit dhe bujqësinë moderne), por edhe në bazë të vendeve të punës që krijojnë (me prioritet punësimin e të rinjve dhe grave).

4

1

PËR ÇIFTET E REJA, ZERO KAMATË PËR BANESAT

Kredi me zero interes për banim për çiftet e reja (me moshë mesatare nën 35 vjeç). Një nga arsyet e mërgimit është pamundësia për të dalë në një banesë të re dhe kjo është lehtësisht e zgjidhshme në mënyrë direkte përmes Bankës Shqiptare të MV-së. Por, deri kur kjo bankë të krijohet, nga qeveria do të subvencionohet kamata në bankat komerciale. Kjo politikë do të ndihmojë edhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të ndërtimit në vend, sektor që punëson shumë të rinj.

5

1

INVESTIME NË ARSIM E KULTURË NË MËRGATË

Gjuha shqipe si lëndë fakultative në mërgatë. Në bashkëpunim me autoritetet e Shqipërisë dhe Kosovës, do ta rrisim përkrahjen për mësimin e gjuhës shqipe si lëndë fakultative në mërgatë, bazuar në programet e përpiluara nga Shqipëria. Shkollat e mërgatës do të pajisen me tekste dhe mësues, në bashkëpunim me Shqipërinë dhe Kosovën. Do të bëjmë lobim që gjuha shqipe të përfshihet si lëndë opsionale në ato vende ku ka shumë nxënës dhe studentë shqiptarë. Zhvillimi i bashkëpunimit kulturor me mërgatën shqiptare. Veprat letrare të autorëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut do të përkthehen në gjuhët e mëdha perëndimore, me ndihmën dhe angazhimin e intelektualëve tanë në mërgatë, si dhe do të përkrahet botimi dhe shpërndarja e letërsisë së mërgatës sonë në vend. Do të fokusohemi gjithashtu në prezantimin e projekteve kulturore nga shteti në mërgatë, si turnetë e ansambleve kulturore-artistike, shfaqjet teatrore, ekspozitat, etj.

6

1

KRIJIMI I KËSHILLIT KOMBËTAR TË DIASPORËS SHQIPTARE

Në këtë Këshill do të përfaqësohen të gjitha subjektet politike shqiptare nga të gjitha trojet. Këshilli do të ketë për detyrë të evidentojë potencialin ekonomik të mërgatës shqiptare dhe ta lidhë atë me vendlindjen, në formën e investimeve dhe të pjesëmarrjes politike. Këshilli do të ketë rol të rëndësishëm në ndërtimin e politikave afatgjata kombëtare, si dhe në vendosjen e vijave të kuqe në raport me politikat identitare për shtetet ku jetojnë shqiptarët në trojet e tyre. Këshilli do të krijohet në bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë.