Makro ekonomia për qytetarin

Makro ekonomia për qytetarin

1

1

NDËRMARRJET SHTETËRORE NË DUART E QYTETARËVE

Qeveria do t’u shpërndajë qytetarëve 49% të aksioneve të ndërmarrjeve publike, duke mbajtur për vete 51% të aksioneve, të cilat do të mund të menaxhohen përmes modeleve koncesionare apo PPP-ve. Vlera e përgjithshme e ndërmarrjeve është afër 20 miliardë euro. Kjo do të thotë se secilit qytetar do t’i shpërndajmë aksione në vlerë prej 10 000 eurosh. Futja e kapitalit privat në ndërmarrjet shtetërore do të sjellë modernizim të secilës ndërmarrje, ndërsa shpërndarja e aksioneve te qytetarët do të sjellë dinamizim ekonomik dhe rritje të mirëqenies për secilën familje.

2

1

KRIJIMI I BANKËS SHQIPTARE

Brenda mandatit, VLEN angazhohet për krijimin e kushteve për themelimin e bankave me kapital dominues shqiptar. Synimi i Bankës Shqiptare është pakësimi i diskriminimit të deritanishëm të shqiptarëve sa i përket financave, aksesit në kredi, pjesëmarrjes në tregjet financiare, etj. Prandaj, fokusi i kësaj banke do të jetë financimi i bizneseve shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Por, në bashkëpunim me qeverinë dhe komunat, Banka Shqiptare do të mund të bëhet pjesë, përmes formatit PPP, edhe e projekteve të mëdha zhvillimore.

3

1

FORCIMI I ZONAVE TË LIRA EKONOMIKE SHQIPTARE

Synim i qeverisjes së VLEN-it është zhvillimi i barabartë i zonave ekonomike, si në orientimin e investimeve dhe në përkrahjen financiare të shtetit për ndërtimin e infrastrukturës, ashtu edhe në shpërndarjen e investitorëve. Investimet e huaja direkte do të alokohen në mënyrë të barabartë në të gjitha rajonet planore, me qëllim të rritjes dhe zhvillimit ekonomik të barabartë. Do t’i japim status të veçantë Zonës së Vizbegut, përmes centralizimit të kompetencave urbanistike dhe infrastrukturore në një institucion shtetëror. Do të përshpejtohet ndërtimi i rrjetit të kanalizimit dhe ujësjellësit, do të rregullohet dhe modernizohet infrastruktura rrugore dhe do të krijohet një linjë e transportit publik në atë zonë. Përveç kësaj, do të bëhet edhe barazimi ligjor, infrastrukturor dhe investues i Zonave të Lira Ekonomike të Vizbegut, Strugës, Kërçovës, Tetovës dhe Likovës me zonat e tjera ekonomike, përmes investimeve në infrastrukturën rrugore, elektrike, kanalizim dhe ujësjellës. Njëra nga zonat ekzistuese do të rikonceptohet si Zonë e Lirë Ekonomike për mërgatën, dedikuar krejtësisht bizneseve të mërgatës shqiptare:
  • Kontributet për tre vite në Zonën e Lirë Ekonomike Shqiptare do të paguhen nga shteti;
  • Investuesit nga diaspora do të përfitojnë nga të gjitha benefitet që kanë investuesit e huaj.
Njëra nga zonat ekzistuese do të rikonceptohet si Zonë e Lirë Ekonomike Rinore, e cila do të jetë e dedikuar për bizneset e të rinjve. Kjo zonë do të ketë përparësi kryesisht në sektorët e start-up-eve dhe teknologjisë.

4

1

DEMOKRATIZIMI ENERGJETIK

Do të rrisim subvencionet qeveritare për të inkurajuar kursimin e energjisë dhe praktikat e mira mjedisore, siç janë instalimi i paneleve fotovoltaike, rezervuarëve për mbledhjen e ujit të shiut, etj., përfshirë edhe në ndërtesat e banimit kolektiv (bashkëpronësi). VLEN angazhohet që të gjitha familjeve t’u sigurohet e drejta të instalojnë sisteme të energjisë diellore në shtëpitë dhe pronat e tyre, si dhe të shesin një sasi të energjisë për një orar të caktuar gjatë secilës ditë. Kjo do të thotë liberalizim i tregut energjetik, në përputhje me rregullativat evropiane dhe Ligjin për energjetikë për entitetet juridike. Konsumatorët e vegjël, amvisëritë, prodhuesit e energjisë elektrike dhe përdoruesit e tjerë do të kenë mundësi të marrin pjesë në tregun e energjisë elektrike, gjë që do të rrisë konkurrencën dhe do të sjellë benefite, si ulja e kostos së jetesës, etj. Ne do të implementojmë menaxhimin automatik të konsumit (smart grid). Depërtimi gjithnjë në rritje i burimeve të rinovueshme të energjisë elektrike, me parashikim relativisht të vështirë të prodhimit, sjell domosdoshmërinë për resurse balancuese në sistemin elektroenergjetik. Me zbatimin e “smart grid” do të përmirësohet në masë të konsiderueshme cilësia e menaxhimit të sistemit elektroenergjetik dhe do të jepet mundësia për sigurimin e efekteve financiare pozitive për konsumatorët. Ne do të zhvillojmë projekte dhe politika në funksion të krijimit të rrjetit sekondar të gazit natyror, veçanërisht në rajonet planore më pak të zhvilluara të Republikës së Maqedonisë së Veriut, siç është ai veriperëndimor, apo Pollogu. Masat që do të ndërmerren në ndihmë të qytetarëve, të sipërmarrjes dhe të prodhimit janë:
  • Eliminimi i tarifës industriale të energjisë elektrike;
  • Integrimi i automjeteve elektrike në sistemin e transmisionit të energjisë;
  • Kapitalizimi shtesë i kompanive energjetike shtetërore;
  • Diversifikimi i kapaciteteve të prodhimit në përputhje me pikat e konsumit të energjisë;
  • Përditësimi i rregullt i planeve për zhvillimin e rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes, me qëllim të sigurimit të lidhjes dhe shfrytëzimit optimal të kapaciteteve të prodhimit.

5

1

INSTITUCIONET NË SHËRBIM TË QYTETARIT DHE TË BIZNESIT

Institucionet ngecin në shërbimin ndaj qytetarëve dhe bizneseve në vend, diku si pasojë e efikasitetit të dobët, diku si pasojë e drejtimit apo menaxhimit të gabuar, e diku si pasojë e mungesës së standardizimit protokollar. Kjo gjë e përkeqëson ndjeshëm klimën e të bërit biznes në vendin tonë, duke penguar edhe investimet. Reformat në institucionet publike dhe shtetërore janë të domosdoshme për të siguruar krijimin e një klime të volitshme për të bërë biznes dhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Ne do të krijojmë institucionin e Avokatit të Biznesit si trup për përcaktimin dhe zbatimin e parimit “heshtja nënkupton pranimin e kërkesës” në procedurën administrative. Do të hapim zyra të Drejtorisë për të Ardhurat Publike në nivel të secilit rajon planor.

6

1

GARANTIMI I TË DREJTAVE TË TË PUNËSUARVE

Përshpejtimi i investimeve në projektet infrastrukturore dhe zhvillimore do të sjellë edhe angazhimin e një numri të madh punëtorësh. Që punëtorët të mbrohen dhe të drejtat e tyre të respektohen, VLEN angazhohet për krijimin e një Gjykate të Çështjeve të Punës. Kjo Gjykatë do të shqyrtojë me shpejtësi dhe me prioritet të gjitha pretendimet për abuzim në marrëdhëniet e punës.