Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka reaguar ndaj qëndrimeve të liderit të ZNAM-it dhe kryetarit të komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, lidhur me mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në debatin “Verdict” në TVM2, Mexhiti e akuzoi Dimitrievskin se deri dje promovonte konceptin qytetar, ndërsa sot, sipas tij, ai po shfaq qëndrime ultranacionaliste për këtë çështje dhe po kërcënon me largimin nga Qeveria.
“Nëse i pengon shqipja, Kumanovën e ka në dy gjuhë, duhet ta lirojë vendin e kryetarit të komunës. Nëse i pengon shqipja, tabela para Qeverisë është maqedonisht dhe shqip dhe atëherë ministrat e tij nuk duhet të jenë në Qeveri. Nëse i pengon shqipja, Kuvendi është në dy gjuhë edhe deputetët e tij nuk duhet të jenë në Kuvend. Pra, e shoh këtë si punë fushate dhe folklor politik nga ana e tij”, deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është rezultat i një marrëveshjeje politike, e cila sipas tij, për herë të parë në historinë e vendit hap rrugën që ky provim të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe.
Sipas tij, edhe kryeministri e ka cilësuar këtë si marrëveshje politike, duke theksuar se një mundësi e tillë nuk ka ekzistuar më parë.
Mexhiti: Nuk ka më që BDI t’i mbajë punonjësit me kontrata
Në të njëjtën paraqitje televizive, Mexhiti foli edhe për Propozimligjin për transformimin e kontratave të përkohshme në vendime të përhershme pune.
Ai akuzoi BDI-në se gjatë qeverisjeve të kaluara i ka mbajtur punonjësit me kontrata të përkohshme, duke krijuar, sipas tij, hapësirë për presion dhe shantazh politik.
“Është më mirë t’i kesh me vendime të përhershme pune sesa t’i mbash në kontrata dhe t’i keqpërdorësh politikisht, që në fushatë t’i ftosh nëpër tubime e aktivitete dhe për vota t’i shantazhosh”, deklaroi Mexhiti.
Sipas tij, punësimi me vendim të përhershëm u ofron punonjësve më shumë siguri në punë, pagë dhe pozitë më të qëndrueshme, si dhe mundësi për përllogaritjen e stazhit të punës.
Mexhiti argumentoi se siguria e punës i bën punonjësit më pak të ekspozuar ndaj presioneve politike dhe më të pavarur nga politika ditore.
Ai hodhi poshtë edhe kritikat e opozitës ndaj kësaj nisme, duke e paraqitur transformimin e kontratave si një masë që, sipas tij, synon të rrisë sigurinë dhe mbrojtjen e punonjësve.