Author name: Vlen

Njoftime

Albin Kurti me mesazh diasporës për zgjedhjet në Maqedoni: Qytetarët e RMV-të kanë nevojë për një faktor politik shqiptarë të fuqishëm, andaj dilni masivisht dhe votoni VLEN, sepse ja VLEN

Cyrih, 20 prill – Kandidati për deputet i VLEN, Bekim Qoku ka përcjellur fjalën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Berlin e Zyrih lidhur me përkrahjen e dhënë për zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit në Maqedoninë e Veriut. Ja fjalimi i plotë i kryeministrit Albin Kurti: “Të dashur bashkatdhetarë, Të nderuar udhëheqës politikë, Arben Taravari, Bilall Kasami, Izet Mexhiti, Afrim Gashi e Bekim Qoku. Më vjen keq që nuk mund të jem sonte me juve në Berlin dhe Zyrih. Obligimet dhe detyrat e shumta në Kosovë në përgjegjësitë e mia si kryeministër i Republikës dhe si kryetar i VETËVENDOSJE!-s ma bënë të pamundur kësaj radhe që t’ju bashkangjitem. Ju përshëndes përzemërsisht nga Prishtina. Për më tepër, kemi kërcënime të vazhdueshme nga fqinji ynë verior i cili këtë javë po mban ushtrime ushatarke, sidomos në Peshter, dje me dronë luftarakë kamikazë, 30 kilometra larg kufirit me Kosovën dhe 3 kilometra larg Malit të Zi. Në njërën anë, ky ushtrim është cenim i sigurisë dhe paqes në rajon, e në anën tjetër, është ndotja më e madhe e ajrit dhe tokës në këtë shekull në Sanxhak. Ata do të dështojnë, ne do të fitojmë, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të na dëmtojnë. Andaj, duhet të jemi të fortë dhe të kujdesshëm. Në Kosovë jemi duke e bërë edhe regjistrimin e popullsisë i cili filloi para dy javëve dhe zgjat deri më 17 maj. Ky regjistrim i popullsisë është vendimtar për planifikim të saktë dhe shpërndarje të drejtë në çdo fushë e sektor. E di që regjistrimi i fundit në Maqedoni të Veriut i nxori shqiptarët 29,5% të popullsisë. Por e di që mërgata jonë shqiptare nuk është e ndarë sipas shteteve ku jemi në Ballkan, andaj u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që janë në tubim që të regjistrohen. Kosova për herë të parë ka filluar regjistrimin online të diasporës, dhe prej se është hapur platforma janë regjistruar afër 35 mijë qytetarë deri më tani. Andaj, bëjeni regjistrimin online përmes platfomës ediaspora.rks-gov.net. Të mërkurën e 24 prillit mbahen zgjedhjet presidenciale të raundit të parë, kurse pas dy javësh raundi i dytë përputhet me zgjedhje parlamentare. Votoni masivisht. Ju uroj e dëshiroj zgjedhje të lira dhe demokratike, të ndershme e të mbara. Maqedonia e Veriut është shtet fqinj, partner dhe mik i Kosovës. Është anëtare e re e NATO-s, ka orientim përgjithësisht pro-evropian, ia ka vendosur sanksionet Federatës Ruse për shkak të agresionit në Ukrainë. Dhe, kështu duhet të mbetet edhe pas këtyre zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Republika jonë, por edhe rajoni i Ballkanit Përendimor në përgjithësi, ka nevojë për një faktor politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili në këto kohëra të ballafaqimit të përditshëm e sistematik me Serbinë agresore, do të jetë krah i fortë i Kosovës, në mbështetje të paqes e sigurisë, mirëqenies e demokracisë. Unë uroj që Presidenti dhe Qeveria e ardhshme të jenë pro-evropiane, demokratike, progresiste. Të tillë që ta mbështesin fuqishëm ndërtimin sa më të shpejtë të rrugës me tunel nën Malet e Sharrit e që i lidh Prizrenin me Tetovën, duke e përgjysmuar kohën e udhëtrimit. Uroj që Presidenti dhe Qeveria e ardhshme të dalin nga i ashtuquajturi “Ballkan i Hapur” që lindi në Novi Sad. Nisma “Ballkani i Hapur” nuk është mjaftueshëm evropiane. Ballkani evropian që e duam e na duhet është mjaftueshëm i hapur. Dhe, uroj që në politikën e jashtme të fqinjësisë së mirë Presidenti dhe Qeveria e ardhshme në Shkup t’i vendosin më lart Tiranën e Prishtinën, bashkë me Sofjen e Athinën, sesa Beogradin. Të dashur mërgimtarë tanë e qytetarë evropianë, mos harroni edhe që me 9 qershor janë zgjedhjet në Bashkimin Evropian. Më të rëndësishmet që nga vitit 1979 kur u mbajtën ato për herë të parë për Parlamentin Evopian. Të gjithë ju që keni të drejtë vote, dilni në zgjedhje me 9 qershor dhe inkurajoni rrethin tuaj familjar e farefisnor, miqtë e dashamirët, kolegët dhe të njohurit e tjerë, të votojnë për progresistët dhe demokratët. Kontinenti ynë duhet shpëtuar nga racizmi e ksenofobia, dhe atyre që pak a shumë flirtojnë me ta. Mbështeteni familjen politike të qendrës së majtë, sepse vetëm ajo është e besueshme në luftën kundër ekstremizmave dhe kundër fashizmit të shekullit XXI që kërcënojnë rëndë demokracitë evropiane, e posaçërisht Gjermaninë. Të dashur bashkatdhetarë, sa më shpesh që mblidheni e diskutoni, sa më shumë që bashkoheni e angazhoheni, aq më mirë për juve dhe për neve. Le të punojmë bashkë për zhvillim, le të përpiqemi vazhdimisht për drejtësi, le të qëndrojmë gjithnjë për barazi, le të kontribuojmë pa u ndalur për përparim. Ju përshëndes të gjithëve e në veçanti mikun tim e kryetarin tuaj Dr. Arben Taravarin që e kam shok ngaherë dhe i besoj si për nga orientimi ashtu edhe për nga karakteri. Energjia e re është e mirëseardhur në skenën politike shqiptare për shumë arsye. Ajo gjithsesi ia vlen, sidomos në situatat që po i përjetojmë e jetojmë tani. Suksese të mërkuren e zgjedhjeve dhe në çdo ditë pune e pushimi!”

Njoftime

Mexhiti: Një parti e dalur nga lufta që përfundon me komunitetet e vogla, është hap i parë drejt shkrirjes në VMRO ose LSDM (VIDEO)

Cyrih, 20 prill – Kryetari i LD-së, Izet Mexhiti, njëherit edhe bartës i listës në njësinë një, para mërgatës në Zvicës, respektivisht në tubimin madhështor në Cyrih tha se Ali Ahmeti e kandidoi për president Bujar Osmanin brenda natës dhe këtë e bëri për ta përçarë votën shqiptare. Ai tutje tha se një parti që del nga lufta dhe përfundon me konceptin qytetar bashkë me komunitetet e vogla, është drejt shkrirjes në LSDM ose VMRO. Mexhiti gjithashtu ka theksuar se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë ndjerë kurrë më të diskriminuar dhe fyer deri më tani. “Shqiptarët e Maqedonisë dhe zonat e populluara me shqiptarë kurrë nuk janë ndjer më të fyer dhe diskriminuar, investimet dhe kapitali shkon për Maqedoninë Lindore ndërsa Ministrat e BDI-së janë figura pa asnjë kapacitet dhe përgjegjësi”, ka deklaruar Mexhiti. Ai ka shtuar duke thënë se BDI dhe ministrat e saj po çalojnë dhe devalvojnë shoqërinë shqiptare duke investuar në kazino dhe korrupsion, aspekte destruktive ku në shumë rang lista jemi për faqe të zezë. Në këtë tubim, të pranishëm ishin qindra mërgimtarë.

Njoftime

Taravari nga Cyrihu: Maqedonia e Veriut ndodhet para një udhëkryqi, duhet të rrisë bashkëpunimin me Prishtinën, Tiranën, Sofjen dhe Athinën

Cyrih, 20 prill – Kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari bashkë me liderët e koalicionit VLEN, sot mbajti tubim me mërgimtarët e Zvicrës në Cyrih. Taravari tha se Maqedonia në këto zgjedhje është para një udhëkryqi shumë të rëndësishëm, dhe këto zgjedhje janë historike për shkak se, përveç tjerash, garon edhe Albin Kurti kundër Vuçiqit, ndërsa Maqedonia, pas zgjedhjeve, duhet të zhvillojë bashkëpunimet me Tiranën, Prishtinën, Sofjen dhe Athinën. “Maqedonia në këto zgjedhje është para një udhëkryqi shumë të rëndësishëm. Zgjedhjet janë historike për shkak se baza e garës politike e Maqedonisë, në qoftë se e thjeshtëzojmë, del se garon Albinizmi kundrejt Vuçizmiit. Ne jemi në moment historik sepse pas agresionit rus në Ukrainë, komplet gjeostrategjia ndryshoi. Para 3-4 javësh kisha mundësi të ulem me një profesor amerikan i cili merret me gjeostrategjinë dhe shumë bukur i sqaroi disa gjëra me të cilat pajtohem plotësisht. Për t’u zhvilluar Maqedonia si duhet, shumë të rëndësishme janë dy trekëndëshat. Trekëndëshi i parë është Shkupi, Tirana dhe Prishtina dhe trekëndëshi i dytë, i cili është shumë i rëndësishëm për t’u zhvilluar është Shkupi, Sofja dhe Athina. Domethënë ne si shtet duhet t’i zhvillojmë këto dy trekëndëshe, të kemi sa më shumë bashkëpunime me këto shtete. Fatmirësisht ne kemi raporte korekte me Prishtinën, edhe me Tiranën ky bashkëpunim duhet të jetë sa më i fuqishëm dhe në të ardhmen të mendojmë sa më shumë që t’i zhvillojmë bashkëpunimet me Sofjen dhe Athinën. Këto dy trekëndësha e parandalojnë ndikimin e veriut, ose ndikimin rus”, u shpreh Taravari. Taravari kërkoi mbështetjen e mërgimtarëve dhe theksoi se mërgata prijëse e ndryshimeve pozitive për shqiptarët e Maqedonisë. “Nuk ka proces i rëndësishëm i historisë së shqiptarëve të Maqedonisë ku mërgata nuk ka qenë ka katalizuesi kryesor. Do ta marr shumë thjesht Gostivarin. Nuk do të kisha mundësinë t’i fitoj zgjedhjet në Gostivar në vitin 2017 dhe 2021, nëse nuk ishin mërgimtarët. Prandaj është e rëndësishme që në këtë proces zgjedhor t’u kemi më 24 prill dhe 8 maj”, u shpreh Taravari duke shtuar se shteti i Maqedonisë duhet të kujdeset që të lehtësojë mundësimin e investimeve të mërgatës në Maqedoni, mundësimin e votës për mërgimtarët dhe lehtësimin e procedurave për dokumentet personale. “Unë e di se ju keni punë, jeni të angazhuar këtu, keni familje, por keni ndikim të jashtëzakonshëm atje. Ju kisha lutur, nëse mendoni se duhet të na përkrahni, kush nuk mund të vijë, të paktën një telefonatë andej ku mundet, një gjysmë fjale që ta përkrahe ndryshimin sepse, shqiptarët prej vitit 2011 kanë votuar për ndryshim”, tha Taravari duke theksuar se shqiptarët që nga viti 2011 kanë votuar për ndryshim, por opozita s’ka qenë e e bashkuar, ndërsa tani VLEN është më e bashkuar se kurrë dhe e vendosur për ta sjellë ndryshimin”, tha në fund Taravari.

Njoftime

Gashi nga Cyrihu: Jemi të interesuar ta ndryshojmë jetën e shqiptarit në Maqedoni

Shkup, 20 prill – Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, nga Cyrihu theksoi rëndësinë e mërgatës shqiptare, në shumë procese të rëndësishme për shqiptarët në trojet e tyre. Gashi tha se ndryshimi është parakusht për tu bërë mirë. Sipas tij, në asnjë vend nuk mund të bëhet mirë pa u ndryshuar gjërat. “Ndryshimi është esenca e demokracisë. Rotacioni politik është i domosdoshëm për ta parë a mund të bëhet më mirë. Nëse edhe pas 24 prillit dhe 8 majit vazhdon të mbetet në pushtet estabilishmenti i njëjtë, asnjë prej nesh nuk besoj se shpreson se mund të bëhet më mirë. Ne e dimë si ka qenë, do të jetë ashtu. Prandaj, për ta provuar për ta bërë më mirë, prandaj, e domosdoshme, esenciale, është që ta bëjmë ndryshimin më 24 prill dhe 8 maj”, tha Gashi, duke shtuar se ky ndryshim nuk mund të bëhet edhe pa ndihmën e diasporës. Gashi tha se ata nuk e kanë për qëllim vetëm të bëhet rotacioni politik, vetëm të ndërrohen emrat e mbiemrat e njerëzve që i zëvendësojnë pozitat në pushtet. “Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar dhe pikërisht për këtë arsye jemi bërë bashkë që ta ndryshojmë jetën e shqiptarëve në Maqedoni”, deklaroi Gashi.

Njoftime

Kasami nga Zvicra: Mërgimtarët sjellin mbi 1 miliardë Euro në Maqedoni, nuk duhet të presin nga 8 orë në kufi

Cyrih, 20 prill – Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, në tubimin e VLEN në Cyrih të Zvicrës, deklaroi para mërgimtarëve se, ata janë pjesa më e rëndësishme e popullit shqiptar dhe e meritojnë që në vendlindjen e tyre të priten me krenari. “Ju sillni në Maqedoni mbi një miliardë euro në vit. Ju nuk e meritoni që kur vini në vendlindje të pritni nëpër kufi nga 7-8 orë siç po ju lënë në Kufirin me Serbinë, por e meritoni të priteni edhe me lule”, ka thënë Kasami. Ai ka shtuar se ndryshimin që po vjen, sidomos edhe me mbështetjen masive të mërgatës, nuk dop të mund ta ndalin ata që punojnë për Beogradin dhe Vuçiqin. “Ju e dini planin e famshëm dhe famkeq të kandidatit të BDI-së në rastin e asja që ndodhi në Kosovë me Banjskën, ku ai kishte folur me zërin e Beogradit dhe me zërin e Vuçiqit dhe duke i treguar Albinit se si duhet të veprojë në terrritorin e tij. Po ta kishte dëgjuar Bujar Osmanin, Albin Kurti sot, Veriu do të ishte i ankesuar. Por Albini e din kë e dëgjon, dëgjon popullin shqiptar, dëgjon popullin i cili e ka votuar, dëgjon popullin i cili ja ka dhënë mandatin”. Lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami deklaroi se VLEN u bashkua që të ndalojë të keqen e të ndërtojë të ardhmen. “Ne sot jemi bashkuar që tu themi se u ka ardhur koha, tu themi se tani, ashtu siç janë të bashkuar, duhet të shkojnë në opozitë. Kjo do të ndodhë duke votuar numrin 6”, tha Kasami. Kasami shtoi se të gjithë e dinë se funksionarët e BDI-së dhe partnerët e tyre të koalicionit, me paratë e qytetarëve, nuk ndërtojnë stadiume, klube dhe akademi sportive, por ndërtojnë vila personale në Gjirin e Lalzit e në çdo pjesë të bregdetit.

Njoftime

Mërgata në Zvicër në mbështetje masovike të VLEN-it

Shkup, 20 prill – Një numër i madh i mërgimtarëve nga Maqedonia e Veriut, të cilët jetojnë dhe punojnë në Zvicër i ka dhënë mbështetje masovike koalicionit VLEN dhe kandidatit të tyre për president Arbëen Taravari. Ata janë zotuar se do të vijnë në mënyrë të organizuar për t’a votuar opozitën shqiptare në Maqedoni. Drejtuesit e Koalicionit VLEN janë shprehur se ndryshimi dhe rrotacioni demokratik janë të domosdoshëm për një progres dhe zhvillim të shqiptarëve në Maqedoni.

Njoftime, President 2024

Koalicioni VLEN paralajmëron tubim spektakolar të hënën në Sheshin Skenderbeu

Shkup, 20 prill – Jemi mbledhur sot këtu, bashkërisht, shefat e fushatës zgjedhore në kuadër të Koalicionit VLEN, që të informojmë opinionin e gjërë për tubimin qëndror që do të mbahet ditën e hënë, 22 prill, 2024. Për të qenë maskimalisht transparent me qytetarët, duam që t`ju informojmë se ashtu siç e kërkon procedura, kemi dorëzuar kërkesë deri tek Qyteti i Shkupit që të mundemi tubimin qëndror ta organizojmë në sheshin Maqedonia, për të parë të gjithë se çka është tubim madhështor, me vullnet të lirë e pa presione, dhe ta sheh pushteti i koruptuar në ikje çfarë don të thotë përkrahje popullore, që ata që moti nuk e kanë. Deri sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Qyteti, gjë që nënkupton që përgjigja është negative, e këtë vendim e kanë marrë kryetarja Danella Arsovska, Blerim Bexheti dhe Levica,të cilët janë në koalicion, në panik për të pamundësuar koalicionin VLEN të organizojë tubimin, duke e ditur atmosferën dhe përkrahjen e madhe të qytetarëve. Çdo përgjigje që do të vinte ditën e hënë do të ishte e vonshme dhe tendencioze për shkak kohës së shkurtë për organizim. Sidoqoftë, ne nuk qëndrojmë duarkryq, bashkërisht me strukturat tona dhe popullin, kemi vendosur që këtë fushatë jashtëzakonisht pozitive për President ta përmbyllim askund tjetër përveç se këtu, në sheshin tonë, sheshin që mban emrin e kryeheroit tonë Gjergj Kastrioti Skenderbeu, për të paralajmëruar fitoren e madhe të Koalicionit VLEN, me një tubim madhështor! Ritheksojmë, tubimi qëndror do të mbahet në Shkup, në sheshin Skenderbeu, me date 22 prill, ditë e hënë, ora 20.30. Ejani edhe ju dhe bëhuni pjesë e këtij NDRYSHIMI të madh, sepse ia VLEN.

Njoftime, President 2024

Kasami: Funksionarët e BDI-së në Listën e Zezë të SHBA-së, shkak për përçarje në Frontin Europian

Shkup, 20 prill – Lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, në “Euronews Albania” deklaroi se në Frontin Europain ka shumë tensione dhe përçarje, për çka shpreson që të mos eskalojnë në incidente më të mëdha. Ai theksoi se shembull i gjendjes së tensionuar në Frontin Europian janë edhe incidenet dhe reagimet e bartësve të tyre në Njesinë e 5-të zgjedhore. “Para disa ditëve u dështoi një tubim në Strugë, ku pastaj doli edhe reagimi i njërit nga bartësit e Zonës 5, pra njëri nga bartësit e Frontit Evropian, ku siç duket ka pasur tensione në mes të grupit të tij dhe grupit të kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko. Pra, kjo garë besoj të përfundojë pa ndonjë incident më serioz, sepse ne si koalicion opozitar, si VLEN, nuk jemi të interesuar që të ketë tensione, për shkak se vlerësojmë se votuesit tani janë votues familjar të cilët duan një ambient të qetë politik për të dalë me familjet e tyre për të votuar për ndryshimin të cilin e presin”, ka thënë Kasami. Kreu i Lëvizjes BESA tha se listat e koalicionit VLEN janë të pastra dhe nuk ka persona që janë të shkruar në Listën e Zetë të SHBA-së. “Ne jemi shumë të sigurt dhe po e themi shumë hapur se nuk ka dhe nuk do të tolerojmë një person i tillë të jetë pjesë e Koalicionit VLEN, apo të jetë në listat e Koalicionit VLEN. Ne kemi qenë të kujdesshëm në përpilimin e listave për deputet që në asnjë moment të mos kemi asnjë person me biografi të dyshimtë dhe që të jemi me lista të pastra, gjë që nuk ndodh në anën tjetër. Atë që përmenda më herët, në Strugë edhe pse BDI kishte deklaruar se ishte e distancuar nga kryetari i Komunës së Strugës, ai është pjesë aktive e kampanjës së BDI në Zonën 5 dhe kjo në fakt po ju sjell tensione dhe po i rikthen konfliktet e së kaluarës në mes të ASH dhe BDI-së dhe BDI ka pjesë të strukturave të saj persona nongrata, ka persona që në të asrdhmen të jenë nëpër këto lista të zeza”, deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. Ai foli edhe për euforinë që është krijuar në mbështetje të Koalicionit VLEN në të gjitha vendbanimet shqiptare, ku theksoi se qytetarët si asnjëherë më parë rreshtohen rreth VLEN-it dhe presin të vijë ndryshimi.

Njoftime, President 2024

“TËRMET” në BERLIN // Mbështetje e madhe për VLEN nga mërgata / Ndryshimi po vjen , ja VLEN (VIDEO)

Berlin, 20 prill – Dje në Berlin për një tubim me qytetarët u mblodhën liderët e Vlen bashkë me kandidatin për president Arben Taravari të cilët para qytetarëve dhanë shpresë të gjithë shqiptarëve në mërgatë për një jetë më të mirë pasiqë sipas tyre, ndryshimi ia Vlen. Mexhiti, Kasami, Gashi dhe Taravari premtuan siguri, zhvillim ekonomik si dhe një infrastrukturë më të mirë në mbarë vendin dhe në veçanti në vendbanimet shqiptare. Ndonëse ishte paraparë që në takim të bashkangjitet edhe kryeministri kosovar Albin Kurti, ai nuk u shfaq por kishte dërguar si përfaqësueses ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila iu drejtua mbarë të pranishmëve duke kërkuar mbështetje për Arben Taravarin. Taravari në Berlin tha se nuk ka pasur proces të rëndësishëm të Maqedonisë së Veriut që është bërë pa diasporën, duke u nisur nga lëvizja e parë politike. Universiteti i Tetovës, ishte projekt i pamundur pa përkrahjen e diasporës, gjithashtu deri tek vendosja e kësaj partie që tani është në pushtet, sikur që tani jeni të përkushtuar nga diaspora për ta ndryshuar këtë parti. Dy herë kam garuar në Gostivar dhe ka ardhur një numër i konsideruar i mërgimtarëve. Ndërkohë Mexhiti ka shtuar se Lëvizjet e para kryengritëse e politike kanë nisur nga mërgata, si për mposhtjen e Jugosllavisë e për Pavarsinë e Kosovës e po kjo mërgatë do ta dënoj BDI-në që kundërshton Kosovën dhe koketon me Vuçiçin. Gashi ndërkohë vlerësoi se katër parti shqiptare bashkë me Vetëvendosjen, pesë subjekte, janë bërë bashkë për ta dëshmuar se liderët e partive politike, katër parti, apo pesë parti nuk e shohin interesin e tyre por janë bërë bashkë për të mirën e njerëzve. Derisa Kasami nënvizoi se për zhvillimet që ndodhin, manovrat më të mëdha që po i bën Serbia në kufi me Kosovën, ia pamundësuan Albinit të Vetëvendosjes që të jetë këtu por nuk ia pamundësuan Albulenës së Vetëvendosjes. Ndryshe, zgjedhjet presidenciale rrethi i parë pritet të mbahet më 24 prill ditën e mërkurë kurse rrethi i dytë bashkë me zgjedhjet parlamentare më 8 maj gjithashtu e mërkurë.

Njoftime, President 2024

Hasani: Arsovska, Bexheti dhe Levica nuk lejuan organizimin e tubimit në Sheshin Maqedonia, çdo përgjigje ditën e hënë do të ishte e vonshme

Shkup, 20 prill – Bashkim Hasani nga Vlen ka informuar se siç e kërkon procedura kanë kërkuar kërkesë deri tek qyteti i Shkupit që tubimin Qëndror ta organizojnë në Sheshin Maqedonia në Shkup, siç theksoi Hasani për të parë të gjithë se çka është tubim madhështor. “Deri sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga qyteti gjë që nënkupton që përgjigja është negative, e këtë vendim e kanë marrë kryetarja Danella Arsovska, Blerim Bexheti bashkë me Levicën të cilët janë në koalicion. Në panik për të pamundësuar koalicionin VLEN të organizojë tubim, duke ditur atmosferën dhe përkrahjen e madhe të qytetarëve çdo përgjigje që do të vinte ditën e hënë do të ishte e vonshme dhe tendencioze për shkak kohës së shkurtë për organizim”, tha Hasani.

Scroll to Top