Author name: Vlen

Njoftime

VLEN takon mërgatën shqiptare në Berlin dhe Cyrih

Berlin/Cyrih, 19 prill – Koalicioni VLEN do të qëndroj në Berlin të Gjermanisë dhe në Cyrih të Zvicrës këto ditë për të takuar mërgatën në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare me 24 prill dhe 8 maj. Sipas informacioneve të cilat janë publikuar aty thuhet se do të jetë i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Takim me mërgatën shqiptare në Berlin. Mërgata jonë është e njësuar dhe pa kufij të imponuar. Mezi kemi pritur dhe ende presim “ndërhyrjen” e saj në çdo kohë, në të gjitha trojet shqiptare.” ka shkruar Qoku në Facebook.

Njoftime

“Ju ka hyrë fesati, po përçahen çdo ditë” – Kasami thumbon Frontin Europian

Bilall Kasami thumboi opozitën duke thënë se në këta të fundit nuk po organizojnë tubime por po rrihen dhe përçahen dhe siç tha, po u hyn fesati. Kasami tha se ka një harmoni mes koalicionit VLEN pavarësisht se nuk kanë besuar se do të qëndrojnë bashkë dhe ua kanë dashur të keqen. “Ata në fillim thanë se jo nuk mund të bashkohemi, ne u bashkuam dhe ka një harmoni të fuqishme mes gjithë këtyre gjashtë faktorëve të ndryshimit, mes partive politike dhe shqiptarëve të Maqedonisë. Duke na dashur neve të keqen se nuk do të mund të rrijmë gjashtë bashkë, ata çdo ditë e më shumë po u hyn fesati dhe dëgjoni, ditëve të fundit nëpër tubime në vend që të organizojnë tubime ata po rrihen dhe po përçahen”, tha Kasami.

Njoftime

Taravari nga tubimi qendror në Strugë: Rritja e pagës minimale deri në 800 euro për të luftuar emigrimin

Kandidati për president nga radhët e VLEN, Arben Taravari, ka shprehur zotimin për të luftuar emigrimin duke rritur pagën minimale në vendin tonë. Në kuadër të qeverisjes së ardhshme, planifikohet që pagat të rriten deri në 800 euro, duke krijuar mundësi të reja për të rinj e të reja që të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit. Përmes granteve për teknologji e inovacion, Taravari tha se qeveria synon të mbështesë idetë e tyre kreative, duke u fokusuar në zhvillimin e vendit si një alternativë atraktive për të rinjtë. “Emigrimi në vendin tonë është mbi çdo normë, shifrat janë alarmuese. Ne nuk mund të qendrojmë indiferent krahas kësaj situate. Kështu që, si qeverisje e ardhshme e VLEN, ne do të marrim vendim për rritjen e pagës. Do të angazhohemi parreshtur që paga minimale deri në fundin e mandatit tonë të parë qeverisës të jetë 800 euro. Përmes granteve për teknologji e inovacion, do të mbështesim të rinj e të reja, me idetë e tyre kreative, të cilat në radhë të parë i shërbejnë zhvillimit tonë si shtet. Kjo do të jetë edhe një arsye shtesë për ta që të shohin të ardhmen këtu tek ne, jo larg shtëpive të tyre, jo larg vendlindjes së tyre.” – marrë nga fjalimi i Arben Taravarit në tubimin qendror në Strugë.

Njoftime

Mexhiti: Mburren me arrogancë por kurrë më afër Qeverisë nuk do jenë

Në fjalën e tij para Struganëve, kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, kritikoi ashpër improvizimin e formimit të Qeverisë që krerët e “Frontit Europian” në krye me Ali Ahmetin e bënë sot në një hotel të Shkupit. Mexhiti tha se populli i ka votuar për të bërë politikë në Kuvend, ndërsa ata shkojnë, siç tha, në sallon të darsmave dhe bëjnë teatër të kukullave. “E kanë humbur busullën politike sepse populli ua jep votën që ta bëjnë politikën në Parlament, ata e bëjnë në Aleksandar Palace. Si asnjëherë më parë shqiptarët s’kanë pasur më shumë ministra, më shumë pozita, ndërsa ata në vend se të punojnë më shumë për problemet e qytetarëve, për avancimin e çështjes shqiptare, ata nëpër ato zyre luajnë futboll dhe basketboll”, deklaroi Mexhiti. Sipas tij, BDI-ja dhe “Fronti Europian” po i numërojnë 20 ditët e fundit të pushtetit e jo 20 deputetët që eksponentët e BDI-së mburren me arrogancë se do t’i fitojnë më 8 maj.

Njoftime

Konjufca në fushatë me kryetarët e partive opozitare shqiptare në Maqedoni

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pasditen e sotme e ka kaluar në Shkup se bashku me liderët e koalicionit VLEN. Konjufca së bashku me Arben Taravarin, Izet Mexhitin, Bilall Kasamin, Afrim Gashin dhe Bekim Qokun kanë ecur nëpër çarshinë e Shkupit, ku kanë takuar qytetarë. Konjufca por edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti kanë përkrahur këtë koalicion, ndërsa Vetëvendosje ka edhe disa kandidatë që synojnë ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Përveç kësaj ecje, Konjufca do të marrë pjesë edhe në tubimin e këtij koalicioni që do të mbahet në mbrëmje në Likovë.

Njoftime

Forumi i Gruas i VLEN në Shkup organizoi Konferencë Rajonale, e pranishme Albulena Haxhiu ministre e Drejtësisë së Kosovës dhe kryetare e Forumit të Gruas të Vetëvendosjes

Shkup, 17 prill – Forumi i Gruas i VLEN mbajti në Shkup Konferencë Rajonale me temë “Gratë në vendimarrje si cilësi e demokracisë”. Në këtë konferencë morrën pjesë pjesmarrëse nga koalicioni VLEN si dhe kandidatet gra nga ky koalicion e po ashtu të ftuar special nga rajoni sikurse Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, njëherit edhe kryetare e forumit të gruas të Vetëvendosjes si dhe Ardita Saqipi anëtare e kryesisë së PVD, Preshevë. Haxhiu dhe Saqipi vlerësuan veprimtarinë e kolegeve të tyre nga Maqedonia e Veriut, megjithatë ato inkurajuan që zëri grave të jetë më i zhvilluar në veprimtarinë e partive politike si dhe të avancohet në institucionet e shtetit. Kjo konferencë për qëllim kishte ngritjen e vetëdijesimit, përfaqësimin e denjë të grave në vendimarrje politike në shtetet demokratike si cilësi demokratike e tyre.

Njoftime

Kasami: Fitorja e VLEN është e rëndësishme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Shkup, 17 prill – Në vazhdën e intervistave me politikanë për zgjedhjet presidenciale, Telegrafi Maqedoni ka folur me Bilall Kasamin, kryetarin e Tetovës dhe Lëvizjes Besa i cili mes tjerash thotë se Arben Taravari, kandidati i opozitës për president, do të fitojë me “epërsi të madhe kundër Bujar Osmanit dhe atë mbi 10 mijë vota” Çfarë rezultati prisni mes Taravarit dhe kundërkandidatit Osmani në zgjedhjet presidenciale? Sipas asaj që shohim për çdo ditë në terren, nga takimet me qytetarët, nga tubimet e koalicionit VLEN, nuk ka dyshim se z. Arben Taravari do të jetë në epërsi të madhe kundër Bujar Osmanit dhe atë mbi 10 mijë vota. Tashmë qytetarët e kanë të qartë se cilat janë bindjet ideologjike dhe qëllimet e doktor Arben Taravarit, i cili edhe si kryetar i Komunës së Gostivarit por edhe si kryetar i ASH-së, gjithmon ka punuar në favor të qytetarëve, e për insteresat e shqiptarëve. Përkundër veprimeve të tij politike të cilat më shumë janë në shërbim të Serbisë e në dëm të të gjithë shqiptarëve. Kjo po dëshmohet çdo ditë. Po tek pala maqedone, mes kandidatëve Pendarovskit dhe Gordana Siljanovska? Për ne si VLEN aspak nuk ka rëndësi se kush do të fitojë tek pala Maqedonase. Për ne është me rëndësi që Qeveria e ardhshme por edhe presidenti i ardhshëm i vendit, prioritet t’i ketë qytetarët dhe politikat euro integruese të vendit. Për karrierën tuaj, sa është e rëndësishme fitorja e VLEN në këto zgjedhje? Fitorja e VLEN nuk është e rëndësishme për karrierën time personale, por është e rëndësishme për mirëqenien e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Aspak nuk ka rëndësi karriera ime sa është e rëndësishme që ata të cilët deri më tani e kanë marrë besimin e qytetarëve, e kanë shkelur atë me të dy këmbët, e në vend që të ndërtojnë shkolla, ata ngritën kazino, në vend që të ndërtojnë sistem efikas të drejtësisë, ata e politizuan gjyqësorin i cili po i fal të gjithë kriminelët që vjedhin shtetitn, madje edhe pronarët e kompanive që si Durmo Turs dhe Besa Trans, kompanitë e papërgjegjshme të të cilëve, vranë dhe dogjën për së gjalli gati 100 qytetarë. Pra fitorja e VLEN do të jetë dënim për ata që krijojnë politika me të cilat qytetarët dhe intelektualët e rinj i dëbojnë jashtë shtetit, ndërsa familjarët e ministrave dhe liderëve të pushtetit bëhen multimilionerë brenda natës. Si dhe shumë keqpërdorime të tjera. Pra fitorja e VLEN është me rëndësi për të ardhmen e mirë të gjithë qytetarëve të vendit, e posaçërisht për shqiptarët. Kur jemi te karriera juaj, kur mendoni se do të largoheni nga politika? Atëherë kur qytetarët do të vlerësojnë se si politikan nuk mund të japim më asgjë për shoqërinë. Unë nuk jam as egoist dhe as egocentrik. Kështu që në politikë do të jem deri atëherë kur qytetarët do ta vlerësojnë punën time, e cila për momentin është tepër evidente, sidomos në Komunën e Tetovës. Ju vet jeni dëshmitar se si ishte Tetova para 3 viteve dhe si ndërtohet e zhvillohet tani. Tani në Tetovë nuk është problem uji i pijshëm, nuk janë problem deponitë, nuk janë problem rrugët me gropa e pa asfalt. E gjithë kjo vetëm prë tre vite, derisa të tjerët nuk arritën ta bëjnë për 20 vite. E tani jemi në fazën kur prishim gjërat e vjetra e jofunksionale dhe ndërtojmë të reja dhe moderne, siç është rasti më i fundit me Stadiumin e qytetit të Tetovës. E ky zhvillim nuk do të ketë të ndalur edhe për një kohë shumë të gjatë. https://www.facebook.com/reel/1141456013722476

Njoftime

Gashi: Maqedonia e Veriut, Shqipëria e Kosova duhet të jenë një treg i përbashkët

Afrim Gashi, kryetar i Alternativës, po lufton për rrëzimin e çdo barriere tarifore apo jotarifore midis Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut për të krijuar një treg të përbashkët bujqësor. Ky treg do të ndihmonte shumë edhe fermerët por edhe konsumatorët të të tre vendeve. Për të promovuar këtë plan, ai të mërkurën ka vizituar shitësit në tregun e Butelit nga ku ka bërë thirrje për krijimin e politikave që i hapin rrugë realizimit të këtij vizioni. “Tregu bujqësor i përbashkët do të mundësonte zhvillimin e ekonomisë në atë shkallë sa mund të konkurrojë më tej edhe më gjerësisht në Ballkan e në Evropë”, ka thënë Gashi. Sipas tij, kjo është mundësi e madhe për prodhuesit vendas që të kenë qasje në një treg më të madh dhe të rrisin edhe më tej kapacitetet duke ofruar [mime të përballueshme për qytetarët. Ky plan është pjesë e programit për ndryshim me të cilin garon koalicioni VLEN, në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni të Veriut, pjesë e së cilit koalicion është Gashi.

Njoftime

Mexhiti nga Dibra: Kemi popullin në anën tonë, fitore do të ketë sepse drejtësi do të sjellim

Sonte para dibranëve koalicioni Vlen ka pasur takim me qytetarë ku para të pranishmëve ka folur edhe kryetari i LD-së Izet Mexhiti. Para të pranishmëve, Mexhiti theksoi se dibranët më shumë se kurrë sot e kanë të qartë se janë të lidhur me amerikën dhe duhet të mbështesin Arben Taravarin. Duke vlerësuar lartë praninë tuaj këtu, sot dua të zbardh disa fakte ku Ali Ahmeti theksoi se në Maqedoninë e Veriut ende nuk është koha për presidentin e parë shqiptar, kurse sot përmes Artanit e shohim që kanë filluar terenin për të tregtuar me votën shqiptare si në lojërat e fatit herë me LSDM e herë me VMRO duke hequr dorë nga kandidati i tyre që tash. Të nderuar dibran sot më shumë se kurrë këto fakte duhet të na bindin se askush nuk duhet të luajë me fatet tona, që të unifikohemi opozita dhe populli dhe votuesit e BDI dhe të shkojmë në raundin e dytë me Arbenin. Populli dhe ne, e ata në anën tjetër, situata është sot më e pastër se asnjëherë më parë, se Dibra nuk i ka qejf zëdhënësit e krimit dhe Osmanin nuk e mbështet për president dhe fatin nuk ia le Artanit. Drejtësia vlen prandaj dibranët do të ndihmojnë që në vend të vijë drejtësia dhe barazia për të gjithë. Fitore do të ketë sepse drejtësi do të sjellim, ka theksuar Mexhiti në fjalën e tij para dibranëve.

Njoftime

Kasami nga Dibra: Do të investojmë në zhvillimin e vendit, do të mbështesim rininë dhe kthimin e mërgatës

Lideri i Lëvizjes BESA, në tubimin e Koalicionit Vlen në Dibër, ka deklaruar se mbështetja për Arben Taravarin si president, do të thotë se nuk do të ketë mblështetje për oligarkët dhe kazinotë. “Doktori nuk do të bëjë asnjë kompromis me oligarkët, me kazinomanët, me ata që duan brenda natës të kalojnë ligjet për të dëmtuar dhqwiptarët, për të dëmtuar qytetarët e këtij vendi”, ka thënë Kasami. AI ka shtuar se programi zgjedhor i Koalicionit VLEN është përpiluar që të mbështeten qytetarët, sidomos për rininë dhe kthimin e mërgatës.“Si koalicion ne do të angazhohemi që të kemi lehtësime fiskale për mërgimtarët sepse është pika më e dhimbshme e jona largimi. Andaj në platformën tonë vend të rëndësishëm zen edhe kthimi i mërgimtarëve që janë të suksesshëm që me përvojën e tyre të kontribuojnë në zhvillimin e vebndit. E më së shumti që ka nevojë për rikthimin e mërgatës është Dibra. Sigurisht ju këtu keni shembuj pozitiv të kësaj natyre siç është z. Kolari i cili është kthyer dhe kontribuon në vendlindjen e tij”, tha kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami në fjalimin e tij në Dibër. Kasami ka shtuar se VLEN, do të përkrahin edhe bizneset të cilat do të investojnë në shërbime që do u japin më të mëshuarve, të cilët kanë më shumë venojë në kohën kur fëmijët e tyre janë larguar rrugëve të botës. Siç theksoi Kasami, koalicioni VLERN rol të rëndësishëm do ti japë edhe rinisë duke subvencionuar për hapjen e bizneseve të gjithë më të rinjtë nën moshën 30 vjeçare.

Scroll to Top